Pas tetë muajsh në arrati, është arrestuar Eno Agasi, kushëriri i Ergys Agasit, i cili ndodhet gjithashtu nën masën e arrestit në kuadër të një hetimi të gjerë për një grup kriminal të dyshuar se kishte vepruar brenda AKSHI-t.
Eno Agasi ishte shpallur në kërkim pasi Gjykata e Tiranës kishte caktuar ndaj tij masën e sigurisë “arrest në burg”. Hetimi ndaj tij lidhet me zhdukjen e disa shisheve vere me vlerë të lartë, të cilat ishin sekuestruar nga SPAK gjatë operacionit të dhjetorit 2025.
Sipas dosjes së hetimit, pas sekuestrimit, autoritetet kishin kryer inventarizimin e shisheve dhe i kishin lënë përkohësisht në kantinë. Transportimi i tyre nuk ishte bërë gjatë natës, për shkak të procedurave doganore. Por situata ndryshoi të nesërmen.
Kur autoritetet u rikthyen për të marrë verën e sekuestruar, shishet nuk ndodheshin më në vendin ku ishin lënë. Pikërisht zhdukja e tyre u bë pjesë e hetimit ndaj Eno Agasit, i cili dyshohet për pastrim parash dhe veprime që kanë penguar zbardhjen e plotë të rrethanave të çështjes.
Çështja e Eno Agasit lidhet edhe me hetimet ndaj kushëririt të tij, Ergys Agasi, i arrestuar disa javë më parë.
Ergys Agasi dyshohet nga organet e drejtësisë për përfshirje në krime të rënda të kryera në kuadër të një grupi kriminal, i cili, sipas hetimeve, kishte veprimtari të lidhura me Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit.
Në këtë dosje është përmendur edhe prokurori Bledar Valikaj. Raportohet se ai kishte referuar më herët në SPAK hetimet që lidhen me Ergys Agasin, ndërsa ka ndjekur edhe procedimet ndaj Eno Agasit.
Arrestimi i Eno Agasit pas disa muajsh në kërkim pritet t’u japë hetuesve mundësi për të marrë më shumë të dhëna mbi zhdukjen e sendeve të sekuestruara dhe për të sqaruar rolin që dyshohet se ka pasur ai në këtë ngjarje.