Partia Demokratike ka paralajmëruar protestë ditën që Kuvendi do të shqyrtojë kërkesën e SPAK për autorizimin për arrestimin e ish-zv.kryeministres, Belinda Balluku.
Kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi tha se më datë 12 Mars, ftojnë të gjithë qytetarët që të protestojnë para Kuvendit, duke mos përjashtuar edhe tensione jashtë godinës, në rast se Ballukut nuk i hiqet imuniteti.
Bardhi tha se në rast se Kuvendi do të votojë kundër kërkesës së SPAK për arrestimin, protestuesit do e konsiderojnë Kuvendin një bunker i të korruptuarve që duhet shembur.
“Jemi dëshmitarë që për gati dy muaj e gjysmë, Rama tentoi të ishte zyra e avokatisë së Ballukut. Dhe siç dukej, nuk kishte mbetur asgjë tjetër veç shkarkimit të saj. Deklarata të tilla janë sinjale të asaj që ka thënë PD, se Rama po mbron veten e tij, jo vetëm Ballukun. Vërtetohet se ai është në dosjen e SPAK-ut. Ai po mbahet peng nga Balluku, sepse nëse ajo shkon në burg, do të shkojë edhe ai pas saj.
Ky do të ishte momenti më i rëndë në demokraci, që do të vinte në dyshim ekzistencën e shtetit ligjor. Ndaj, sot dua që përmes kësaj konference për shtyp të njoftoj se ditën kur Kuvendi të shqyrtojë mandatin apo imunitetin e Ballukut, PD do të thërrasë në protestë qytetarët para selisë së Kuvendit.
Nëse shkon skenari i refuzimit të kërkesës së SPAK-ut, qytetarët do ta trajtojnë Kuvendin si bunker ku janë strehuar të korruptuarit, i cili do të duhet edhe të shembet. Ditën kur Kuvendi shqyrton kërkesën për mandatin, qytetarët janë të ftuar në protestë para selisë së Kuvendit. Që nga ai moment, nëse mbahet qëndrim pro Ballukut, ai institucion do të quhet bunker i të korruptuarve.”, tha ai.