Papa Francesku ka pritur ditën e sotme në një takim në selinë e tij në Vatikan Kryegjyshin Botëror të Bektashinjve, Edmond Brahimajn, ose siç njihet ndryshe Baba Mondin.
Sipas gazetarit Ferdinand Samarxhi, Ati i Shenjtë ka dhënë bekimin e tij për krijimin e shtetit Bektashi, teksa të dy kanë firmosur edhe dokumentin mbi vëllazërinë njerëzorë të Abu Dhabit.
“Papa Francesku uron dhe bekon krijimin e Shtetit te ri Sovran Bektashi. Ai e konsideroi një Nismë të bukur të cilën e bekoi. Papa Francesku dhe Kryegjyshi Edmond Brahimaj firmosën bashkërisht dokumentin mbi vëllazërinë njerëzorë të Abu Dhabit”, shprehet Samarxhi.
Por si do të funksionojë shteti Bektashi?
Ky shtet do të jetë si modeli i Vatikanit, me administratë, pasaporta dhe kufij, dhe do të udhëhiqet nga Baba Mondi, i cili shpjegon se si synon të sundojë mbi një copë toke prej 27 hektarësh që Shqipëria dëshiron ta kthejë në një shtet sovran.
Në një intervistë, kryeministri Rama tha se qëllimi i shtetit të ri ishte të promovonte një version tolerant të Islamit me të cilin krenohet Shqipëria. “Ne duhet të kujdesemi për këtë thesar, që është toleranca fetare dhe që nuk duhet ta marrim kurrë si të mirëqenë,” tha ai.