Diten e djeshme nënkryetari i Partisë së Lirisë, Petrit Vasili, u thirr në Prokurorinë e Posaçme, për t’u pyetur në lidhje me pagesat për lobim ne SHBA të LSI-së në vitin 2016.
Denoncimi në SPAK është bërë nga ish-deputeti Halit Valteri, pas publikimit të pagesave në një revistë austriake. Por cilat janë pagesat dhe takimet e zyrtarëve te ish-LSI me zyrtarët amerikanë?
Gjatë vitit 2016 LSI ka bërë pagesa në vlerë 267,804 USD për kompaninë e saj të lobimit në Uashington, Global Security and Innovative Strategies, GSIS. Pagesat përfshijnë tarifën mujore fikse prej 30,000 USD për kompaninë amerikane si dhe rimbursim të shpenzimeve, që kjo e fundit ka bërë gjatë përfaqësimit të interesave të liderëve të LSI-së pranë kongresit të SHBA-ve dhe administratës amerikane. Por këto pagesa nuk janë deklaruar të plota në KQZ, që hedh dyshime në lidhje me burimin e këtyre të ardhurave.
Kompania amerikane ka siguruar një sërë takimesh për liderin e LSI-së, Ilir Meta dhe ministrin e Bujqësisë, Edmond Panariti në SHBA.
Të dhënat e Departamentit të Drejtësisë tregojnë që GSIS e ka asistuar Metën gjatë vizitës së tij nga 11 deri në 16 maj në Uashington, si dhe gjatë një vizite të dytë në periudhën 6-8 qershor. Gjithashtu, kompania lobuese amerikane ka siguruar takime në SHBA për Panaritin në datat 12-13 korrik.
GSIS i ka mundësuar kryetarit të LSI-së takime me anëtarë të Kongresit në SHBA, takime me zyrtarë të Departamentit të Drejtësisë dhe të Departamentit të Shtetit.
Me asistencën e GSIS, Meta është takuar me 11 maj me Kryetarin e Komisionit të Ligjeve dhe Procedurave në Kongresin Amerikan, z. Pete Sessions dhe Kryetarin e Komisionit për Sigurinë Kombëtare, z. Michael McCaul.
Me ndihmën e GSIS, Meta ka drekuar dhe ka mbajtur një fjalim më 12 Maj përpara anëtarëve të Qendrës Truman për Politika Kombëtare si dhe është takuar me Asistent Prokurorin e Përgjithshëm, Bruce Swartz.
Vizita e Metës në SHBA ka vazhduar në 13 maj me një ndalesë ne fondacionin “Heritage” dhe më vonë takime me kongresmenin John Katko. Në të njëjtën ditë, ai është takuar me zv/Ndihmës Sekretarin e Shtetit Hyot Lee si dhe Zv/Sekretarin Alan Bersin nga Departamenti i Sigurisë Kombëtare.
Meta e ka finalizuar vizitën e tij në SHBA me 16 maj, me një takim me senatorin John Cornyn dhe një fjalim në Institutin për Politika Progresive – edhe ky i fundit i siguruar nga kompania e tij e lobimit.
Kryetari i parlamentit Ilir Meta është rikthyer në Uashington për një vizitë të dytë në datat 6-8 qershor, ku takimet e tij me zyrtarët amerikanë janë ndëmjetësuar përsëri nga GSIS. Gjatë kësaj vizite, Meta është takuar me zv/Sekretarin Ëilliam Broënfiled në Departamentin Amerikan të Shtetit, si dhe me përfaqësuesit tregtar të SHBA, Timothy Ëedding dhe Bill Moller.
Ndërkohë, vizita e Panaritit në SHBA është realizuar një muaj më vonë, kur me ndihmën e GSIS në 12-13 korrik ai është takuar me Phil Karstings nga Departamenti i Bujqësisë dhe kongresmenin Robert Aderholt.
Përveç pagesave për GSIS, në Janar 2017 LSI ka paguar dhe kompaninë e lobimit McKeon Group me 15 mijë USD. McKeon Group është një kompani lobimi me qendër në Uashingtn D.C, e udhëhequr nga ish kongresmeni i Partisë Republikane Hoëard P. “Buck” McKeon.
Pas pjesëmarrjes së Metës në inagurimin e Presidentit Trump, kontrata me McKeon Group është ndërprere më 13 Shkurt, me shënimin se qëllimi i saj “ishte përmbushur”.