Pacientja ndërroi jetë në spital, Prokuroria dërgon për gjykim mjekun e spitalit rajonal të Fierit

Prokuroria e Fierit ka dërguar sot për gjykim një mjek të spitalit të Fierit, i cili akuzohet për “ngelizhencë në trajtimin mjekësor” ndaj një pacienteje që ka ndërruar jetë.

Sipas njoftimit zyrtar, prokuroria ka përfunduar hetimet ndaj mjekut S.B dhe e ka dërguar çështjen në Gjykatën e Fierit.

Akuza thotë se mjeku në fjalë nuk ka vepruar në përputhje me protokollin mjekësor, në trajtimin e një pacienteje me inicialet A.N. , që ndërroi jetë. Sipas hetimeve, transportimi i pacientes nuk u realizua sipas protokollit mjekësor me ekip të specializuar.

“Prokuroria Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim, procedimin penal në ngarkim të shtetasit S.B., me detyrë mjek pranë urgjencës së Spitalit Rajonal Fier, i akuzuar për veprën penale të “Neglizhenca në trajtimin mjekësor”, e parashikuar nga neni 96/2 i Kodit Penal.

Nga hetimet u provua se, nga i pandehuri S.B. nuk ka vepruar në përputhje me protokollin mjekësor, të pranuar për sëmundjen nga e cila vuante shtetasia A.N., dhe se transportimi i pacientes nuk u realizua konform protokollit mjekësor me ekip të specializuar.

Si pasojë e neglizhencës në trajtimin mjekësor, shtetasja A. N. ndërroi jetë”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.