“Pa drejtësi, nuk ka BE”. Kjo është një mes shumë pankartave që mbajnë qytetarët, të cilët po protestojnë para Kryesisë së Kuvendit, në një kohë kur Këshilli i Mandateve do të shqyrtojë sot kërkesën e SPAK për imunitetin e Belinda Ballukut.
Një numër i madh qytetarësh i janë bashkuar kësaj proteste, ku kërkohet heqja e imunitetit të zv.kryeministres, Belinda Balluku, e cila është marrë e pandehur për tunelin e Llogarasë, dhe në hetim për Unazën e Madhe.
“Stop krim-pushtetit”, “Sot Balluku, nesër Rama”, Për drejtësi deri në fund” janë disa nga pankartat që protestuesit mbajnë në duar.
Një prej protestuesve tregoi me megafon disa nga problematikat që has Shqipëria nga aspekti ekonomik.
“Shtresa e mesme po varfërohet. Fuqia blerëse po zhduket. Importet po rriten, prodhimi vendas po vdes. Punësia po shkatërrohet. Fshati po braktiset. Sot jemi në pikën më të errët”, tha ai.
Teksa partia Mundësia proteston, brenda Kryesisë së Kuvendit ka nisur mbledhja e Këshillit të Mandateve, pas kërkesës së SPAK për të hequr imunitetin e Ballukut.
Në mbledhjen e Këshillit të Mandateve dhe Imunitetin ështe kreu i ri i SPAK Klodian Braho dhe dy prokurorët e Strukturës së Posaçme, Dorina Bejko dhe Dritan Prençi.
Ndërkohë zv.kryeministrja Belinda Balluku nuk do të marrë pjesë në mbledhjen e Këshillit të Mandateve, ku do të shqyrtohet imuniteti i saj.