Opozita proteston sot sërish përpara Bashkisë së Tiranës

Opozita dhe qytetarët do të protestojnë sërish sot në orën 11:00 përpara Bashkisë së Tiranës, për të kërkuar largimin e kryebashkiakut Erion Veliaj.

Kjo është protesta e tretë e opozitës, teksa kujtojmë se herën e kaluar pati edhe përplasje të dhunshme mes protestuesve dhe policisë, ku nuk munguan as molotovët.

Opozita ka paralajmëruar protesta deri në largimin e Veliajt, të cilin e akuzon si bashkëpunëtor të ish-drejtorëve të arrestuar, të cilët nëpërmjet kompanisë “5D” merrnin tenderat e institucionit ku punonin.

Gjithashtu Veliaj akuzohet nga opozita si pronari faktik i inceneratorit të Tiranës, për të cilin janë dhënë dhe vijojnë të jepen dhjetëra miliona euro, por ai incenerator nuk ekziston dhe mbeturinat vijojnë të groposen.

Ish-kryeministri Sali Berisha ka publikuar edhe një video të shkurtër, ku i bën thirrje qytetarëve të bashkohen në protestë.