Opozita mban tubimin e radhës para Bashkisë së Tiranës, protestuesit sjellin “Veliajn” me pranga para koshit të mbeturinave

Po mbahet sot protesta e 11 e opozitës para Bashkisë së Tiranës, ku kërkohet dorëheqja e Erion Veliajt, pas skandalit me 5 drejtorët.

Protestuesit kanë mbledhur sërish goma para bashkisë, të cilat ashtu si në tubimet e mëparshme, pritet t’u vihet flaka.

Detaji që bie në sy në protestën e sotme, është se protestuesit kanë sjellë një manekin me fytyrën e Veliajt, para një koshi mbeturinash, ndërsa duart i ka të lidhura me pranga.

“Gjatë disa tubimeve të mëparshme, të zhvilluara nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, në sheshin para Bashkisë Tiranë, janë evidentuar raste të përsëritura të kundërshtimit të forcave të policisë, përdorimit dhe hedhjes së molotovëve e sendeve të tjera, në drejtim të Bashkisë Tiranë, duke rrezikuar seriozisht jetën dhe shëndetin e punonjësve të policisë dhe vetë pjesëmarrësve në tubime.

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë respekton plotësisht të drejtën e qytetarëve për të organizuar dhe marrë pjesë në tubime paqësore.  Policia u përsërit thirrjen organizatorëve, drejtuesve dhe pjesëmarrësve në tubime për të respektuar ligjin dhe për t’u distancuar nga çdo akt dhune”,  ka njoftuar më herët policia.

Për shkak të protestës do ketë devijim të përkohshëm të qarkullimit të automjeteve në bulevardin kryesor pranë Bashkisë së Tiranës. Për këtë arsye sugjerojmë që të përdoren rrugë alternative, deri në përfundim të tubimit, si Unaza e Mesme dhe Unaza e Madhe.