Opozita kërkon të tërhiqen të gjitha firmat për Avokatin e Popullit: Kandidatët tanë janë vetëm Adriana Kalaja dhe Besim Ndregjoni

Në seancën plenare të ditës së sotme që pritet të jetë maratonë, do të votohet edhe për Avokatin e Popullit. Opozita ka kërkuar që të tërhiqen të gjitha firmat për 6 kandidaturat, por mazhoranca nuk pranoi në Komisionin e Ligjeve.

Deputeti demokrat Belind Këlliçi deklaroi se se PD nuk do të marrë pjesë në këtë farsë për sa kohë në listën e kandidatëve të jetë emri i Endri Shabanit. Ai tha se dy kandidaturat e vetme të PD-së janë Adriana Kalaja dhe Besim Ndregjoni.

“E kemi bërë të ditur me shkrim qëndrimin tonë mbi këtë proces. Jeni njoftuar për tërheqjen e të gjitha firmave për të gjitha kandidaturat që kanë paraqitur për të garuar për pozicionin e avokatit të popullit.

Është edhe lepuri i Surrelit, që po çon deri në fund skenarin e kësaj mazhorance të paralajmëruar javë më parë se Avokatin e Popullit do e merrte PS, e kanë thënë socialistët. Qëndrimi ynë është i prerë, asnjë nga 26 kandidaturat nuk i ka firmat e deputetëve të PD. PD nuk merr pjesën në këtë farsë sa kohë nuk tërhiqni emrin e Endri Shabanit. Kandidaturat tona janë Adriana Kalaja dhe Besim Ndregjoni”, tha Këlliçi.