Nuredin Dumani “nuk kursen” as të vëllain, tregon ngjarjet kriminale ku ai ka marrë pjesë

Nuredin Dumani, i penduari i drejtësisë, i cili po bashkëpunon me SPAK për zbardhjen e disa prej ngjarjeve më të rënda kriminale, së fundmi ka përfshirë edhe të vëllanë në rrëfimet e tij.

Ai ka treguar se Dashamir Dumani,  ka qenë i përfshirë në disa ngjarje kriminale sic është ajo që njihet si ‘masakra e Bradasheshit’.

Në atë ngjarje u ekzekutua Indrit Alibej dhe Arben Dylgjeri, vëllai dhe xhaxhai i Erjon Alibejt dhe një shtetas turk.

Nuredini nuk ka dhënë detaje për rolin e të vëllait, por është shprehur se sqarime të mëtejshme për atentatin mund të japë vetëm vëllai i tij, pasi ka marrë pjesë në këtë ngjarje.

Gjithashtu, gjatë ballafaqimit që ka patur me Fatos Gosën, një nga të arrestuarit e dosjes “Plumbi i Artë” si informator në ekzekutimim e Andi Zylyfit në Peqin, Dumani ka treguar përpara hetuesve, se ai ka patur rolin e informatorit edhe në vrasjen e trefishtë të Bradasheshit në Elbasan.

Por, Gosa e ka kundërshtuar atë, duke u shprehur se ai nuk ka informacion me këto ngjarje dhe se nuk ka asnjë njohje me Nuredin Dumanin.