Kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta nuk është ndalur me akuzat ndaj drejtuesit të SPAK, Altin Dumani.
Gjatë një konference për mediat nga qyteti i Shkodrës, Meta teksa u pyet nëse i druhet arrestimit, është shprehur se nuk ka frikë nga një prokuror që i merret goja dhe që sipas tij merr urdhra nga qeveria.
“Nuk bëj presion ndaj askujt, unë them të vërtetën, aq më pak t’i druhem arrestimit nga një prokuror që i bindet Ëngjëll Agaçit, për shkak të aferave. Një prokuror që kërcënoi Arben Ahmetaj që të mbyllte gojën. Nuk i druhem një prokurori që i merret goja që s’di të thotë dy fjalë. Partia e Lirisë është në një rritje të papërmbajtshme, Ramaformën do ta hedhim në Lanë. Metamorfoza nuk hetohet në kohë por pas zgjedhjeve, sepse ashtu interesonte për të vjedhur votat në Shkodër”– tha Meta.
Ai deklaroi gjithashtu se është lodhur nga takimet me ndërkombëtarët.
“Jam aq i lumtur në lirinë time dhe në takimet e mia me Nënë Selvinë, me Ijën sot në Bubq, e plot njerëz ndaj të cilëve Ilir Meta ka detyrime. Ilir Meta është i lodhur nga takimet me ndërkombëtaret, Rama është i vonuar, të gjithë ndërkombëtaret e dinë që Engjëll Agaçi është tutori i Reformës në Drejtësi” –tha më tej kreu i PL.
Meta ka shtuar sulmet ndaj Altin Dumanit dhe SPAK-ut gjatë ditëve të fundit, duke e ka akuzuar se i ka dërguar njerëz që ta bindin të largohet nga Shqipëria.
Ai madje i është drejtuar kreut të SPAK me ofendime si “palaço, injorant apo legen”, teksa thotë se Dumanin nuk mund ta mbrojë as KLP dhe as Zoti nëse shkel Kushtetutën.