Tragjedia e ndodhur në Durrës, ku dy fëmijë humbën jetën dhe një tjetër mbeti i plagosur rëndë pasi u përplasën nga një automjet i drejtuar nga një person në gjendje të dehur, ka tronditur opinionin publik dhe ka rikthyer edhe një herë në qendër të debatit çështjen e sigurisë rrugore në Shqipëri.
Reagimi politik nuk vonoi, me deputetët që kërkuan ashpërsim të Kodit Penal dhe rritje të dënimeve për drejtuesit e mjeteve që shkelin ligjin, sidomos në raste kur pasojat janë fatale.
Por përtej këtij reagimi të menjëhershëm, lind një pyetje thelbësore: a është vërtet mungesa e ligjit problemi, apo dështimi për ta zbatuar atë?
Shqipëria nuk është një vend pa kuadër ligjor për raste të tilla. Legjislacioni parashikon dënime për drejtimin e mjetit në gjendje të dehur, si dhe për aksidentet me pasojë vdekjen. Megjithatë, ngjarje si ajo e Durrësit tregojnë qartë se problemi nuk qëndron te mungesa e dispozitave ligjore, por te mungesa e kontrollit dhe e parandalimit.
Edhe sikur dënimet të ashpërsohen më tej, madje edhe në mënyrë ekstreme, kjo nuk do të garantonte shmangien e tragjedive të tilla, për sa kohë që shteti nuk arrin të ndërhyjë përpara se ato të ndodhin.
Askush nuk del nga shtëpia me qëllimin për t’u përfshirë në një aksident tragjik, aq më pak kur bëhet fjalë për jetën e fëmijëve. Këto nuk janë krime që ndodhin sepse mungon frika nga ligji, por sepse mungon kontrolli real mbi sjelljen e shoferëve në rrugë.
Tragjedia e Durrësit bëhet edhe më e rëndë kur merret parasysh fakti se drejtuesi i mjetit kishte precedentë të mëparshëm, çfarë ngre dyshime serioze mbi
Ndaj, përpjekja për të ndryshuar ligjin pas çdo tragjedie bëhet vetëm për të qetësuar opinionin publik sesa për të adresuar problemet reale. Qeveria nuk mund t’i shmanget përgjegjësisë duke ndërhyrë vetëm pasi dëmi është bërë, kur në shumë raste, ngjarje të tilla mund të ishin parandaluar.
Mungesa e hapësirave publike dhe e parqeve për fëmijët i detyron ata të kalojnë më shumë kohë pranë rrugëve. Në shumë zona urbane, hapësirat e lira po zëvendësohen nga kulla të reja, ndërsa investimet në parqe për fëmijët kanë kohë që janë harruar.
Ndaj, fëmijët nuk janë të sigurt as në trotuaret e lagjeve të tyre, duke e bërë tragjedinë e Durrësit jo një rast të izoluar, por një problem më të gjerë.
Tragjedia e Durrësit duhet të shërbejë si një moment reflektimi për të kaluar nga reagimi tek parandalimi, dhe jo të mbetemi vetëm në deklarata.
Sepse në fund, pyetja nuk është sa i ashpër është ligji, por sa i aftë është shteti të parandalojë përpara se një tragjedi të ndodhë.