Rregullat strikte që ish kryebashkiaku i Kukësit kishte në zyrën e tij, nuk e kanë shpëtuar nga publikimi i asaj që ndodhte aty brenda.
Gazetarja Klodiana Lala ka zbuluar mbrëmë në emisionin “Open” se Safet Gjici nuk lejonte askënd t’i shkonte në zyrë me telefon. Pajisjet elektronike u mbaheshin personave para se të futeshin atje.
Kamera, shtoi Lala, ka qenë e vendosur në çantën e vajzës. Nga ana tjetër një nga këshilltarët bashkiakë e kishte kërcënuar Gjicin disa ditë më parë: Qëndro edhe pak në zyrë, sepse do ta shohësh se çfarë do të ndodhë.
“Vajzës i janë mbajtur shumë gjëra jashtë para se të futej në zyrë, i janë mbajtur celularë… Kohët e fundit Gjici nuk lejonte që të futej asnjë me celularë. Vajza ka pasur katër kamera dhe ka shpëtuar vetëm një kamera që ka qenë e vendosur, një stilolaps në cepin e çantës, sipas SPAK. Pyetja që shtrohet është që e ka bërë për qëllime personale apo ka një tutor nga pas?
Kësaj pyetje duhet t’i japë përgjigje SPAK. Nga informacionet që kam, sipas hetimeve të SPAK, në një mbledhje të fundit në Bashkinë e Kukësit, një nga këshilltarët i ka thënë Gjicit: Qëndro edhe pak ditë në zyrën e bashkisë se do ta shohësh çfarë do të ndodhë’, tha Lala.