“Nuk kemi moshë të dalim me tanga”, Ilir Meta kundër projektligjit për riprodhimin

Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta në një konferencë për mediat doli kundër prjojektligjit për shëndetin seksual dhe riprodhimin.

Meta u shpreh se kushdo që përpiqet ta kthejë vendin në një fermë surrogacie, do të marrë përgjigjen e merituar.

Deklarata e Metës, vjen pas asaj të Këshillit Ndërfetar që kërkonin që të merrnin pjesë në dëgjesat publike në lidhje me projektligjin.

“Falenderoj personalitetet që ma kanë prishur gjumin që sot në mëngjes të tmerruar nga guximi i internacionales së surrogatove për të kthyer Shqipërinë në një fermë surrogato të të gjithë botës.

Këta e zëvendësuan parullën “proletarë të të gjithë vendeve bashkohuni” po të paktën ata bashkohen në Bashkimin Sovjetik që kishte hapësira pafund, në “surrogato të të gjithë botës bashkohuni në Shqipëri që e ka boshatisur Rilindja me qëllim që për 11 vite edhe që kujton se është bërë gjaku ujë.

Me këtë çështje do të merremi seriozisht, u bëj të qartë të gjithë udhëheqësve të besimeve fetare që janë të tronditur dhe injoruar në shqetësimet e tyre për një çështje kaq madhore të jenë të qetë. Çdo tentative për të shndërruar këtë vend në një fermë laboratorike të internacionales së surrogatove do të marrë përgjigjen e merituar. Agresioni i 7 prillit nuk është gjë para përpara këtij agresioni të mafies ndërkombëtare ndaj popullit dhe kombit tonë synon shpërbërjen tonë.

Nëse kujtojnë se gjaku i shqiptarëve është bërë ujë do të çuditen edhe vetë kudo ku janë dhe planifikojnë këto çmendurira për përgjigjen që do ti japë populli i Shqipërisë.

Nuk kemi moshë ne për të dalë me tanga se ai surrogati i qeverisë del lirshëm fare, ky i bashkisë e dini se çfarë është. Me këtë çështje do të merremi pak më shumë”- tha Meta mes të tjerash në konferencën për shtyp.