Ka përfunduar pa dakordësi takimi mes kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku me kryeministrin Albin Kurti për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit.
Në një komunikim për mediat, Abdixhiku tha se nuk do të takohen më me Kurtin, pasi ky i fundit kërkon që presidenti të jetë nga radhët e Levizjes Vetëvendosje.
Abdixhiku ka thënë se vendi duhet të jetë i përgatitur për zgjedhje të reja nëse nuk arrihet marrëveshje politike, duke theksuar se LDK që nga fillimi ka mbajtur qëndrim të qartë për mënyrën e zgjedhjes së kreut të shtetit.
“Duhet të bëhemi gati për skenarin e zgjedhjeve të reja dhe të jashtëzakonshme. Prej fillimit LDK ka qenë e qartë që presidenti s’duhet të jetë zgjatim i qeverisë. S’mund të ketë një qeveri që ka edhe presidentin e një partie, pra t’i ketë tri institucionet”, ka deklaruar Abdixhiku.
Ai ka shtuar se ka bërë përpjekje për të gjetur zgjidhje, por sipas tij nuk është arritur marrëveshje.
“U përpoqa, provova, por nuk arrita fatkeqësisht. Tani i kthehemi LDK-së dhe misionit të madh të bashkimit të së djathtës brenda partisë”, ka thënë ai.