Inteligjenca artificiale po na “dobëson” trurin

Kur shkencëtarja Nataliya Kosmyna po kërkonte praktikantë, ajo vuri re se letrat motivuese që merrte ishin çuditërisht të ngjashme: të gjata, të lëmuara dhe shpesh kalonin nga prezantimi në lidhje abstrakte me punën e saj. Për të ishte e qartë se aplikantët po përdornin inteligjencën artificiale – modele gjuhësore si ChatGPT, Google Gemini apo Claude – për t’i shkruar ato.

Në të njëjtën kohë, gjatë leksioneve në Massachusetts Institute of Technology, ajo vuri re se studentët po harronin më lehtë përmbajtjen krahasuar me disa vite më parë. Kjo e bëri të dyshonte se përdorimi në rritje i AI mund të ndikonte në aftësitë njohëse.

Shqetësimi kryesor është se mbështetja e tepruar te inteligjenca artificiale mund të ndikojë jo vetëm në gjuhën që përdorim, por edhe në aftësinë për të kryer detyra bazë mendore. Një numër në rritje studimesh sugjeron se ky “shkarkim njohës” te AI mund të ketë efekte negative në funksionimin e trurit.

Studimet tregojnë se mjetet që përdorim ndikojnë në mënyrën si mendojmë. Ashtu si interneti uli nevojën për kërkime të thelluara (fenomen i njohur si “efekti Google”), edhe AI mund të dobësojë kujtesën dhe aftësinë për zgjidhjen e problemeve.

Në një eksperiment në MIT, 54 studentë u ndanë në tre grupe: një përdori ChatGPT, një tjetër kërkimin në Google dhe grupi i tretë nuk përdori teknologji. Rezultatet treguan se ata që përdorën vetëm mendjen e tyre kishin aktivitet të lartë trunor, ndërsa grupi i ChatGPT kishte deri në 55% më pak aktivitet, sidomos në zonat që lidhen me kreativitetin dhe përpunimin e informacionit.

Për më tepër, përdorimi i AI ndikoi edhe në kujtesë: pjesëmarrësit që përdorën ChatGPT kishin vështirësi të kujtonin çfarë kishin shkruar dhe ndiheshin më pak të lidhur me punën e tyre.

Studime të tjera sugjerojnë se njerëzit shpesh bien në atë që quhet “dorëzim njohës”, duke pranuar përgjigjet e AI pa i vënë në dyshim. Efekte të ngjashme janë vërejtur edhe në fusha kritike si mjekësia, ku profesionistët që përdorën AI për një periudhë të caktuar performuan më dobët pa të.

Një tjetër shqetësim është humbja e kreativitetit. Ese-të e shkruara me ChatGPT ishin shumë të ngjashme dhe u konsideruan si pa origjinalitet dhe thellësi.

Megjithatë, ekspertët theksojnë se inteligjenca artificiale mund të jetë e dobishme nëse përdoret si mjet ndihmës dhe jo si zëvendësim i mendimit. Studiues si Vivienne Ming paralajmërojnë se mungesa e përpjekjes mendore mund të lidhet me rënie njohëse në afatgjatë.

Zgjidhja, sipas tyre, është një bashkëpunim i zgjuar mes njeriut dhe makinës: të mendojmë fillimisht vetë dhe ta përdorim AI për të sfiduar idetë tona, jo për t’i zëvendësuar ato.

Në fund, mesazhi është i qartë: për shëndetin afatgjatë të trurit, duhet të vazhdojmë ta sfidojmë veten. Shkurtoret mendore mund të jenë tërheqëse, por përdorimi i tepërt i tyre mund të ketë pasoja për kujtesën, kreativitetin dhe aftësinë tonë për të menduar në mënyrë të pavarur.