Arben Ahmetaj nuk duroi më! Pas disa muajsh në arrati dhe disa mesazheve të koduara në rrjetet sociale, vendosi të flasë me emra, duke treguar se cilët tentuan ta fundosin dhe cilët janë grabitësit e vërtetë të qindra miliona eurove të aferës së inceneratorëve.
Ndoshta i ruajti disa informacione për sigurinë personale, por ato që tha janë mëse të mjaftueshme që Prokuroria e Posaçme (SPAK) të gjejë rrugën drejt zyrtarëve që kanë vjedhur paratë e qytetarëve.
I pari i akuzuar në listë është kryeministri Edi Rama, për të cilin thotë se i ka qëndruar gjithmonë besnik, por kreu i qeverisë nuk ia ktheu me të njëjtën monedhë. Sipas Ahmetajt, Rama e nxori në pritë, teksa SPAK nxitoi që ta “vriste”, si për të treguar Ramës se puna e nisur përfundoi me sukses.
I mësuar t’i hedhë miqtë njëri pas tjetri në “gojën e ujkut”, Rama ndjen lakun t’i ngushtohet, pasi ata që shpëtuan, kanë filluar të flasin.
“Për të qenë i sinqertë e prisja që të bëhej një ekstremitet, e kisha parë të gjithë frymëzimin politik, diku nga vjeshta e vitit 2023. Mendoja që megjithatë atë shtyrje politike, atë urrejtje sistemike që tregonte instrumenti i drejtësisë SPAK, gati, gati personale që shpesh nuk e kuptoja, madje i bëja pyetje edhe vetes, si ka mundësi që të një drejtësi që kemi aspiruar me pasion të jetë një drejtësi e re, të bazohet në shkelje të të drejtave të njeriut, të bazohet në procedura të shkelura, të bazohet në nxjerrje në pritë politike nga ish-lideri im, kryeministri aktual, dhe do të vijmë aty, nuk do të kisha menduar se do të kishin atë padurim statistikor për ti treguar me zell, ish-liderit tim politik, se ja na e nxore në pritë, e vramë”, u shpreh Ahmetaj në Syri Tv.
Ai tha se kryeministri Rama e kishte kërcënuar në mbledhjen e Kryesisë, por vendosi të heshtë në ato momente, pasi ishte i nxehur dhe mund të kishte thënë gjëra të pakëndshme.
“Në mbledhje e kryesisë ka thënë do shkojë në të sëmës ai që prish unitetin e partisë. Kam qenë në dilemë shumë të madhe dhe që nga data 24 korrik vendosa të mos flisja. Do kisha thënë gjëra që në nxehtësi të plotë do kisha thënë gjëra jo të këndshme”,
Ish-ministri sfidoi edhe Prokurorinë e Posaçme për çështjen e inceneratorit të Tiranës, pasi sipas tij, nëse do të ketë hetime të thelluara, shqiptarët do të llahtarisen se sa lart shkon kjo çështje.
Ahmetaj: Po qe se do të bëhej një hetim i vërtetë për inceneratorin e Tiranës, shqiptarët nuk do të habiten, por do të llahtarisen se deri ku do të shkojë. Po sigurisht që SPAK nuk e bën këtë. Unë thashë, ‘ndiq paratë’. Unë isha i akuzuar nga opinioni publik pra, në populizmin penal shqiptar, unë po goditesha me gurë nga dritaret e Top Channel, apo nga të gjitha mediat e paguara nga inceneratorët. Mercenarë, vullnetarë, të paguar, të sponsorizuar, të gjithë. Unë habitem se si, kur del nëpër letra se je paguar nga inceneratorët dhe të dalësh të bësh sikur po lufton korrupsioni është çmenduri. Megjithatë ky është një diskutim dhe kapitull tjetër. Pra, po të hetohet Tirana, shqiptarët nuk do të habiten, por të llahtarisen. Do të shkojë shumë lart.
“Erion Veliaj është pronari faktik i inceneratorit të Tiranës”. Kjo ishte edhe akuza më e fortë e ish-ministrit Arben Ahmetaj, i cili se kryebashkiaku është aktori kryesor i aferës së inceneratorit të kryeqytetit. Ahmetaj ka nxjerrë edhe emrin e biznesmenit shqiptaro-zviceran, Besim Hoxha, i cili ka 40% të inceneratorit të Tiranës.
Për Ahmetajn, Belinda Balluku dhe Erion Veliaj kanë qenë dy socialistët që kanë tentuar t’i bëjnë “gropën”, pasi kanë nxjerrë teorinë se ai ka dorëzuar dosjen e inceneratorëve te Ilir Meta dhe ambasada amerikane.
Arben Ahmetaj: Teoria e konspiracioni që unë kam dorëzuar dosjen tek Ilir Meta dhe ambasada amerikane është furnizuar nga Erion Veliaj, Belinda Balluku dhe unë nuk e besoj se Edi Rama e ka besuar, sepse është më i zgjuar se kaq. Këtë histori e ka besuar Lefter Koka dhe Mirel Mërtiri. Dosja dihet publikisht ka qenë pjesë e hetimit të KLSH-së.
Në fund, Ahmetaj ka edhe një paralajmërim për Edi Ramën, se nuk do të pranojë të bëhet “kokë turku”, por do të vijojë të flasë akoma më shumë për aferën e inceneratorëve në vijim, pavarësisht se deklaroi se ishte kërcënuar 3 herë me jetë.
“Nuk bëhem unë kokë turku për Ed Ramën. Nuk bëhem për askënd, jo për Ed Ramën. Unë do të mbaj kryqin që më takon në kurriz. Por nuk mbaj kryqin e askujt tjetër dhe unë nuk jam krijesë që mund të kërcënohem, as nga Robespierët, as nga kriminelët, as nga burgu, as nga jashtë burgut. Jam ndonjë trim, jo, njeri normal jam. Kam frikë, sigurisht kam frikë si çdo njeri. Kam frikë nga vdekja, sigurisht, do të vdesim një ditë, sigurisht. Por nuk jam krijesë që mund të kërcënohem. Kjo është e sigurt”, tha Ahmetaj.
“Nëse do ngelem gjallë” ishte një nga frazat që “goditi” më shumë qytetarët që dëgjuan intervistën e Ahmetajt. Ish-ministri tregoi se ka frikë edhe se mund ta vrasin, pas rrëfimeve që dha. Por kujt i frikësohet Arben Ahmetaj? Nëse ka frikë për jetën edhe një nga personat më të pushtetshëm pak kohë më parë, çfarë sigurie kaë qytetarët?
Rrëfimi i Arben Ahmetajt nuk ka përfunduar, por sinjalet ishin të qarta. Nëse rrëfimi shkon deri në fund, nuk do të ketë më “koka turku”, por “koka zyrtarësh të lartë” që do të “priten njëra pas tjetrës nga drejtësia.
LEXO EDHE: “Në të sëmës të vejë”, Ahmetaj tregon kërcënimin e Ramës dhe socialistët që i bënë “gropën”
LEXO EDHE: Akuza e fortë e Arben Ahmetaj: Rama më nxori në pritë, SPAK më “vrau”