Saimir Tahiri, Kelmend Balili, Safet Bajri dhe Klodian Selimi. Këta 4 janë personazhet e fotos që dje bëri xhiron e rrjetit, ku shfaqeshin duke ngrënë e duke pirë në një nga qelitë e burgut të Kosovës në Lushnje.
Fotoja e shkrepur në vitin 2022 solli reagime të shumta nga qytetarët, pasi në foto shihet se të burgosurit e kanë shtruar tavolinën me mish të pjekur dhe verë, ndërkohë që i menjëhershëm ishte edhe reagimi i Ministrisë së Drejtësisë për të justifikuar skandalin.
Sipas Ministrisë, 4 të burgosurit po hanin së bashku në një qeli pasi në burgun e Lushnjes nuk ka mensë, ndërkohë që shton se nuk ka patur alkool, por vetëm ujë, pavarësisht se në foto duket qartë që gotat janë mbushur me verë.
“Fotografia në fjalë ka qënë pjesë e disa fotografive të bëra nga personeli i IEVP “Kosovë e Lushnjes”, gjatë ndjekjes së një dite normale në Institucion, konform rregulloreve ne fuqi”, thuhet në justifikimin e Ministrisë, por sa e vërtetë është kjo?
Tahiri, Balili dhe Bajri nuk ishin të burgosur të zakonshëm, që mund t’u bëje foto për t’i ruajtur në arkivën e burgut. Ata nuk do të pranonin kurrë që foto e tyre e përbashkët të mbahej si trofe nga Burgu i Lushnjes, pasi është vendi i fundit ku do të donin të fotografoheshin. A ishte e mundur që personeli i burgut t’i detyronte të bënin foto? Absolutisht jo! Nuk mund të bësh 3 të burgosur “VIP” bashkë dhe foton t’ua vendosësh “kornizë në mur”, pasi ata s’do ta lejonin kurrë.
Gjithashtu edhe cilësia e fotos nuk është e mirë, çfarë të bën të mendosh se është bërë me një celular të zakonshëm, pra ishte një foto si kujtim i miqësisë së 4 të burgosurve, kujtim që duhej të mbëtej mes tyre dhe jo të shpërndahej, siç u bë dje.
Pra, Ministria e Drejtësisë nuk mund të justifikohet kaq lehtë, pasi ky është një skandal që tregon trajtimin që u bëhet të burgosurve “VIP” në krahasim me të tjerët.
Por shqiptarët janë mësuar me skandale, ndaj edhe ky nuk do të zgjasë më shumë se 3 ditë, për t’i lënë vendin një tjetër skandali me të tjerë personazhe.