“Nja katunar pa pretendime”, Rama tregon se ku e sheh veten pas 2 dekadash

Në ‘podcastin’ e radhës të kryeministrit Edi Rama, ishte i ftuar këngëtari Alban Skënderaj, i cili pasi iu përgjigj pyetjeve, i drejtoi edhe një pyetje kreut të qeverisë.

Ai e pyeti Ramën se ku e shihte veten pas 2 dekadash, teksa kryeministri tregoi se nuk e shihte veten në politikë, por si një “katunar pa pretendime dhe jo i bezdisshëm”.

Rama tha se do t’i pëlrqente të merrje me gjërat që ka mësuar dhe ato që nuk ka mundur t’i mësojë, si për shembull të qepë. Kryeministri ka treguar edhe më herët se e ka patur pasion të qepë rroba, ndaj edhe ka dëshirë që ta ushtrojë pasi të tërhiqet nga politika.

“Duke u marrë me gjërat që kam mësuar dhe me gjërat që nuk kam mundur të mësoj, si për shembull, të qep. Duke ndarë eksperiencën e shijes me njerëzit që nuk më zgjedhin, por që i zgjedh.

Unë e shoh veten shumë thjeshtë në katund duke u marrë me shijen e të parit, të dëgjuarit, të shikuarit. Është e bëshme sepse, mua edhe po të më rrëshqasë ledhi kur i thonë, për sa kohë kam në krah një dorë që më sjell në vete në mënyrë automatike nuk e kam rrezikun që të mbetem duke u bërë i lodhshëm për të tjerët. Besoj, uroj, lutem. Dua të jem një katunar pa pretendime, i pabezdishëm dhe i padukshëm për të tjerët. Thjesht i gatshëm për ata që kanë dëshirë të më takojnë dhe kam dëshirë t’i takoj kaq.

Ajo duhet bërë shumë mirë. Është si një lloj përgatitje për tu ndarë nga kjo jetë, edhe varrezat i kam afër aty”, tha kryeministri.