Nis protesta përpara Bashkisë së Tiranës, hidhen mollë dhe tymuese drejt godinës

Ka nisur protesta e thirrur nga opozita përpara Bashkisë së Tiranës, ku qindra qytetarë janë mbledhur dhe kërkojnë dorëheqjen e kryebashkiakut Erion Veliaj.

Protestuesve iu është bashkuar edhe deputetja Ina Zhupa, e cila ka lënë sallën e Kuvendit dhe ka shkuar drejt protestuesve, teksa këta të fundit kanë hedhur tymuese dhe mollë në drejtim të godinës.

Kjo është protesta e dytë e qytetarëve përpara Bashkisë së Tiranës, që vjen pas skandalit të kompanisë “5D” të ish-drejtorëve të bashkisë, të cilët me anë të kësaj kompanie të tyre merrnin tendera nga institucioni ku punonin.

Vetë kryebashkiaku Veliaj deklaroi se nuk do ta japë dorëheqjen, pasi nuk kishte dijeni se çfarë bënin ish-drejtorët e tij, ndërkohë që deklaratën e tij e mbështeti edhe kryeministri Rama.