Ka nisur protesta kombëtare e opozitës, ku mijëra qytetarë nga e gjithë Shqipëria janë mbledhur para Kryeministrisë për të kërkuar largimin e kryeministrit Rama dhe zv.kryeministres Belinda Balluku.
I pari që hapi fjalimet ishte nënkryetari i PD-së, Luçiano Boçi, i cili akuzoi kryeministrin Rama se e ka kthyer shtetin në pronë private dhe qeverinë në klub të mbyllur qejfi dhe ahengu.
“Sot nuk jemi mbledhur për spektakël politik as për tu numëruar nga dronët vampirë të medias së Edi Ramës. Nuk jemi mbledhur sot as për tu parë me urrejtje nga perdet e dritaret e frikës së pushtetit dhe as për të shpërndarë urrejtje për krimbat. Ne jemi këtu sepse vlerësojmë jetën, na ka thirrur dashuria për familjen, dinjiteti ynë, rezistenca. Jemi thirrur këtu nga ndërgjegjia, sepse Shqipëria jonë nuk e duron më faktin që të drejtohet nga një njeri që e ka kthyer shtetin në pronë private dhe qeverinë në klub të mbyllur qejfi dhe ahengu. Kjo ndërtesë nuk është kryeministria por kuplaraja e shtetit”, tha ai ndër të tjera.
Deri më tani protesta ka qenë e qetë, por nuk përjashtohet mundësia që në mbyllje të saj të ketë përplasje mes protestuesve dhe efektivëve të policisë.
Në protestën e fundit kombëtare qytetarët hodhën molotov në drejtim të Kryeministrisë, e cila këtë herë është blinduar, teksa para saj është rreshtuar kordoni i policëve.