Gazetarët iu nënshtruan gjuhës së urrejtjes, sulmeve fizike dhe me armë. Kështu thuhet në raportin e Amnesty International për Shqipërinë, ku bëhet një analizë si për rastet e dhunës ndaj grave dhe vrasjes së tyre nga partnerët apo familjarë e deri të shqetësimi për marrëveshjen e emigrantëve mes Shqipërisë dhe Italisë.
Amnesty International, një nga organizatat më të mëdha të mbrojtjes së të drejtave të njeriut në botë, publikoi të mërkurën raportin e saj mbi gjendjen në 155 vende të vrojtuara, përfshirë Shqipërinë.
Në raport përmendet se ulja e numrit të gjykatave, ngriti shqetësime në lidhje me aksesin në drejtësi për qytetarët.
“Më 1 shkurt, hyri në fuqi një strukturë e re gjyqësore, duke ulur numrin e gjykatave në Shqipëri nga 34 në 16. Kishte shqetësime se kjo do ta bënte më të shtrenjtë dhe më të vështirë aksesin në drejtësi”- nënvizohet në raport.
Sa i takon paktit Rama-Meloni, AI shpreh shqetësimin e organizatave e të drejtave të njeriut për marrëveshjen e firmosur në nëntor të vitit të kaluar.
“Organizatat e të drejtave të njeriut dhe të tjera kanë shprehur shqetësim në lidhje me impaktin që kjo marrëveshje mund të ketë mbi të drejtat e refugjatëve, azilkërkuesve dhe emigrantëve, përfshirë faktin që ajo parashikon ndalim automatik të tyre”, vëren raporti i AI.
Sipas raportit të Amnesty International, sulmi me armë kundër Top Channel në mars 2023, ku mbeti i vrarë një roje sigurie mbetet i pazbardhur. Në raport po ashtu evidentohet edhe sulmi ndaj gazetares Ola Xama nga kryebashkiaku Erion Veliaj, në përgjigje të një artikulli që ajo kishte shkruar duke theksuar rolin që ai kishte në inceneratorin e Tiranës.
“Gazetarët u sulmuan nga figurat politike. Erion Veliaj, kryebashkiak i Tiranës, iu referua një gazetareje investigative si “vrasëse me pagesë” në përgjigje të një artikulli në të cilin ajo kishte theksuar rolin që kryebashkiaku ka luajtur në projektin e incineratorit të Tiranës,” vëren raporti i Amnesty International.
Raporti po ashtu vëren se në drejtim të të drejtave të LGBTI, Shqipëria nuk ka shënuar progres.