Nga “Remzi Hoxha” te propozimi i Partisë Socialiste, zbulohen emrat e rinj të 6 rrugëve të Tiranës

Bashkia e Tiranës ka vendosur emrat e rinj të 6 rrugëve në kryeqytet, me propozimin e disa institucioneve.

Një nga rrugët do të mbajë emrin e Remzi Hoxhës, biznesmenit të rrëmbyer në 21 Tetor 1995 nga agjentët e SHIK, teksa edhe pas 29 vitesh rrethanat e zhdukjes së tij mbeten të paqarta.

Ndërkohë, Partia Socialiste ka propozuar emërtimin “Tomor Malasi” të një tjetër rruge në Tiranë. Ai ka qenë deputet i Partisë Demokratike në Kuvendin e Shqipërisë, si dhe ka ushtruar funksionin e Nënkryetarit të Kuvendit gjatë viteve 1992- 1996. Tomor Malasi u nda nga jeta në vitin 2023, në moshën 73 vjeçare.

Emrat e tjerë që do të emërtohen rrugët janë: “Bledi Nini”; “Gerond Husi”; “Nevrus Malindi”; Dritan Mezini”.

Njoftimi i Bashkisë Tiranë:

Në mbështetje të nenit 8 pika 2, nenit 9, pika 1, nënpika 1.1, shkronja “b”, nënpika 1.7, shkronja “b”, nenit 54, shkronja “ll” dhe nenit 55, pika 2 dhe 6 të ligjit nr.139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore”, të ndryshuar, nenit 3 të ligjit nr. 9270, date 29.07.2004, “Për sistemin e adresave”, të ndryshuar, shkresës nr. 139/1 prot., datë 28.03.2019, të Ministrit të Brendshëm “Plani i masave mbi finalizimin e procesit të emërtimeve të bulevardeve, rrugëve, rrugicave, shesheve, parqeve në Republikën e Shqipërisë dhe paisjen me adresë të shtetasve shqiptarë”, si dhe në vijim të memos me nr. 10930/1 prot., datë 11.04.2024 të Drejtorisë së Përgjithshme të Promovimit të Qytetit, me propozimin e kryetarit të Bashkisë, Këshilli Bashkiak,

V E N D O S I:

1. Emërtimin “Bledi Nini”, të rrugës sipas fragmentit të hartës, bashkëlidhur këtij vendimi.

2. Emërtimin “Gerond Husi”, të rrugës sipas fragmentit të hartës, bashkëlidhur këtij vendimi.

3. Emërtimin “Tomor Malasi”, të rrugës sipas fragmentit të hartës, bashkëlidhur këtij vendimi.

4. Emërtimin “Nevrus Malindi”, të rrugës sipas fragmentit të hartës, bashkëlidhur këtij vendimi.

5. Emërtimin “Remzi Hoxha”, të rrugës sipas fragmentit të hartës, bashkëlidhur këtij vendimi.

6. Emërtimin “Dritan Mezini”, të rrugës sipas fragmentit të hartës, bashkëlidhur këtij vendimi.

7. Ngarkohet Drejtoria e Përgjithshme e Qeverisjes Elektronike dhe Inovacionit, Drejtoria e Përgjithshme e Investimeve të Punëve Publike dhe Drejtoria e Përgjithshme e Promovimit të Qytetit, për ndjekjen dhe zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi sipas përcaktimeve të pikës 6, të nenit 55, të ligjit nr. 139/2015, “Për vetëqeverisjen vendore”, të ndryshuar.

1. Bledi Nini

Propozuar nga Qendra Universitare Spitalore “Nënë Tereza”. 

Z.Bledi Nini lindi më 01.02.1972 në Tiranë. Pasi përfundoi specializimin pasuniversitar në O.R.L, filloi punë si mjek primar në Shërbimin O.R.L, në vitin 2001. Sapo Dr. Nini filloi punë  ju dedikua endoskopisë së rrugëve respiratore dhe degjestive, për të zgjidhur pikërisht urgjencat më ekstreme të shërbimit. Me qetësinë dhe durimin që e karakterizonte ai arriti të zgjidhë të gjitha urgjencat e rrugëve respiratore dhe degjistive pa pasur asnjë ndërlikim apo përfundim fatal. I papërtuar në çdo orë të ditës dhe të natës. Falë aftësive komunikuese Dr.Nini ishte një mjek i shkëlqyer që punonte shumë mirë në ekip. Ai ishte Zv. President i Shoqatës Shqiptare të O.R.L-së, si dhe për tetë vite anëtar i Bordit Drejtues të kësaj shoqate. Pasi u konsolidua me zgjidhjen e urgjencave respiratore, ai filloi të merrte pjesë në ekipet kirurgjikale të Onkologjisë O.R.L, ku shumë shpejtë arriti të punonte në mënyrë të pavarur në kirurgjinë e qafës, për të zgjidhur patologjitë tumorale. Ka ndërruar jetë më 25.11.2020, për shkak të Covid-19 duke  shkaktuar një boshllëk të pazëvendësueshëm nga ana profesionale.

2. Gerond Husi

Propozuar nga Universiteti Metropolitan Tirana.

Z.Gerond Husi lindi në 5 Korrik 1971 në qytetin e Vlorës dhe u rrit në qytetin e Tiranës. Pas përfundimit të shkollës së mesme “Petro Nini Luarasi”, për shkak të rezultateve të shkëlqyera ju dha e drejta të studionte në Fakultetin e Mjekësisë. Pas përfundimit të studimeve dhe të specializimit në degën e Endokrinologjisë, Dr. Husi ndoqi një specializim në Francë dhe në përfundim të tij ju ofrua menjëherë një vend pune në spital, por Dr. Husi zgjodhi që profesionin e mjekut ta ushtronte në vendin e tij. Gjatë gjithë kohës ai ishte në kërkim të mënyrave të reja të trajtimit dhe në përdorimin e tyre. Ai ka botuar një sërë artikujsh mjekësorë dhe studime shkencore. Ai mbante titullin e Doktorit të Shkencave. Dr. Husi nuk ishte vetëm një mjek i kompletuar dhe nga më të mirët në profesion, por njëkohësisht ishte edhe një pedagog i devotshëm dhe shumë i dashur për studentët. Pikërisht për aftësitë, mirësinë dhe dashurinë që përcillte ai u zgjodh President Shoqatës së Endokrinologjisë. Doktor Geri do të jetë frymëzim për gjeneratat e mjekëve që do të vijnë. Edhe gjatë pandemisë ishte një nga mjekët e parë të cilët filluan luftën me Covid 19. U nda nga jeta në vitin 2021, në moshën 50-vjeçare për shkak të Covid-19, duke shkaktuar një humbje të madhe e të pazëvendësueshme në fushën e mjekësisë.

3. Tomor Malasi

Propozim nga Partia Socialiste e Shqipërisë.

Z. Tomor Malasi ka lindur në 07.08.1935. Ai ka qenë deputet i Partisë Demokratike në Kuvendin e Shqipërisë, si dhe ka ushtruar funksionin e Nënkryetarit të Kuvendit gjatë viteve 1992- 1996. Me zhvillimin e zgjedhjeve të para pluraliste në vend, më 31 mars 1991 Kuvendi i dalë nga këto zgjedhje vendosi që Kryetari i Bashkisë të emërohej nga partia fituese. Në po këtë vit kryetar i Bashkisë së Tiranës u caktua z. Tomor Malasi, detyrë që e ushtroi deri në vitin 1992. Me profesionin inxhinier mekanik, ai ka punuar në disa uzina të vendit tonë, si në Kombinatin Metalurgjik apo në Uzinën e Gjeologji Minierave. Tomor Malasi u dallua për qëndrimet e tij parimore dhe ndershmërinë që e karakterizonte. Ai u nda nga jeta në 08.07.2023, në moshën 87-vjeçare.    

4. Nevrus Malindi

Propozuar nga Fakulteti Politeknik i Tiranës.

Z. Nevrus Malindi lindi në 15 mars 1919, në Malind të Skraparit. Shkollën tëtëvjeçare dhe të mesme i kreu në Berat duke i përfunduar me rezultate të shkëlqyera. Për rezualtatet tepër të larta fitoi një bursë studimi në Itali (Milano), studime të cilat i përfundoi në degën Bujqësisë në vitin 1942. Pas studimeve, qershor 1942, krijoi lidhjet e para me Luftën Antifashiste Nacional-Çlirimtare dhe në gusht të po atij viti burgoset për dy muaj. Në maj 1943 zgjidhet Komisar i Batalionit “Riza Cerova”. Gjatë luftimeve për çlirimin e qytetit të Beratit u plagos. Pas çlirimit të vendit ka kryer studime në ish-Bashkimin Sovjetik për Shkenca –Filozofike. Me mbarimin e studimeve ka ushtruar detyra të rëndësishme në administratën e Shtetit Shqiptar. Ai ka qenë drejtues i rretheve Pogradec dhe Fier. Në vitin 1953 emërohet zv.Ministër i Bujqësisë. Më pas ka mbajtur postin e Dekanit të Falultetit të Ekonomisë Agrare deri në daljen e tij në pension. Për merita në punë është dekoruar me medalje të shumta nga Kuvendi. Në vitin 2004, pas vdekjes është vlerësuar nga Këshilli Bashkiak i qytetit të Çorovodës me titullin “Qytetar Nderi”. U nda nga jeta në 13.03.1988.  

5. Remzi Hoxha

Propozuar nga Njësia Administrative nr.8

Z. Remzi Hoxha lindi në 21 dhjetor 1955, në Shkup. Studimet e larta i kreu në Universitetin e Prishtinës në degën e Kimisë dhe i përfundoi me rezultate të larta. Në fillim të viteve 1980 Remzi Hoxha filloi të shfaqte një angazhim të qartë politik. Ai u përfshi në lëvizjet për liri dhe pavarësinë e Kosovës, duke u angazhuar në sindikatat e kohës. Pas sukseseve konkrete u zgjodh Kryetar i Sindikatës së Ekonomisë së Vogël dhe të Zejtarisë (SPEVZ), fillimisht për Ferizajn dhe më pas për të gjithë Kosovën. Remzi Hoxha organizoi dhe udhëhoqi shumë greva dhe protesta kundër represionit të Serbisë në Kosovë. Duke u bazuar në rrjetin e gjerë të lidhjeve të tij, përfshirë edhe lidhjet në Shqipëri punoi për të mbështetur me financime dhe logjistikë luftën për çlirimin e Kosovës. Familja Hoxha ka kontribuar dhe mbështetur financiarisht Programin e Lidhjes së Arsimtarëve Shqiptarë (LASH). Ai nuk u step për asnjë moment nga arrestimet, torturat, kërcënimet apo atentatet. Për të ruajtur familjen e tij, ai vendos të shpërngulet fillimisht në Shkup e më pas në Tiranë. Më 21 tetor 1995 jeta e Remzi Hoxhës mori një kthesë tragjike. Ai u rrëmbye në qendër të Tiranës nga agjentët e SHIK-ut. Edhe pse ka kaluar më shumë se çerek shekulli, rrethanat e zhdukjes së tij mbeten të paqarta.

6. Dritan Mezini

Propozuar nga Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar

Z. Dritan Mezini lindi në 11 maj 1967, në Vlorë. Në karrierën e tij ka spikatur në shumë fusha, si në fushën e ekonomisë, informatikës, bankare, teknologjisë, inovacionit dhe menaxhimit të bisnesit. Në vitin 1990 u diplomua pranë Fakultetit të Shkencave. Më pas është diplomuar në Çikago të SH.B.A.-së për Menaxhim Bisnesi dhe me Menaxhim të Projekteve. Ishte një ndër themeluesit e portalit “Dua Punë”. Ndër të tjera ka qenë edhe Kryekëshilltar pranë Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, si edhe pjesë e disa bordeve në institucionet vendase dhe rajonale. Ndërroi jetë në 11.01.2024, në Tiranë.