Rreth tre orë zgjati protesta e opzitës dje, ndërsa ashtu sic ishte parashikuar u shoqërua me tensione të shumta, përplasje duke degjeneruar në dhunë.
Fillimisht qytetarët u mblodhën para Kryeministisë, ku pas përfundimit të fjalimit të kreut të PD, Sali Berisha hodhën fishekzjarrë dhe molotov në drejtim të godinës së qeverisë, ndërsa i menjëhershëm ishte edhe reagimi i policisë për të shpërndarë turmën.
Berisha foli me tone të forta para protestuesve duke e konsideruar Ramën si një “kufomë politike” dhe se i ka ditët e numëruara.
“Satani i shqiptarëve, Enver Hoxha siç dihet vdiq në vitin 1985, por e vërteta është se diktatura e tij vazhdoi sundimin fuqiplotë që në ditës kur ne shembëm shtatoren e tij. Njëlloj sot, Edi Rama është një kufomë politike, i diskredituar, i tmerruar, por prapë njëlloj si shtatorja e Enver Hoxhës, për sa kohë nuk e tërheqim nga zyra e tij, siç tërhoqëm babain e tij shpirtëror 35 vite më parë. Ai regjim 46 vjeçar vendosej mbi disa shtylla që peshonin mbi shqiptarët. Regjimi i sotëm bën të njëjtën gjë. Nëse Enver Hoxha i shndërroj shqiptarët në një popull fantazme, Edi Rama po përzë shqiptarët nga Shqipëria, për të ndërtuar parajsën e tij dhe të hajdutëve të tij. Ngjashmëritë janë të hidhura”, deklaroi Berisha.
Më pas protestuesit, së bashkë me Berishën dhe eksponentë të Partisë Demokratike, u zhvendosën para Kuvendit të Shqipërisë, ku sërish pati incidente te forta, duke mos kursyer as besimtaret qe faleshin ne Xhamine e Namazgjase.
Teksa protestuesit tashmë ishin stacionuar para Kuvendit, policia hodhi gaz lotsjellës pranë xhamisë së Namazgjasë, ku shumë besimtarë myslimanë po falnin Namazin.
Pas përshakllëzimit të protestës, pati një reagim nga Ministrja e Brendshme Albana Kociu, ku shprehej se dhuna nuk ishte zgjidhje.
“Dënojmë çdo inkurajim aktesh dhune nga drejtues të opozitës. U bëjmë thirrje organizatorëve të protestës që t’u bëjnë apel simpatizantëve që të shmangin aktet e dhunës dhe të mbajnë të miturit larg çdo akti që do të rrezikonte jetën e tyre dhe qytetarëve. Dhuna nuk është zgjidhje!
Dhuna është shfaqje e dëshpërimit nga ata që në vend të alternativës krijojnë skena që rrezikojnë jetën e qytetarëve, policëve e gazetarëve. Ata të rinj e të mitur që përfshihen në akte dhune nuk janë as heronj e as trima, por janë të keqpërdorurit e atyre që në mënyrë patologjike vijojnë të mbështeten te dhuna, pa mundur të ndërtojnë alternativë tjetër veç shkatërrimit”.
Edhe PD, përmes një deklarate zyrtare, tha se u hodhën sasi të mëdha gazi te Xhamia e Namazgjasë. Po ashtu, Partia Demokratike akuzoi policinë për hedhjen e gazit lotsjellës në mjediset dhe zyrat e drejtuesve të PD-së duke akuzuar uniformat blu kanë sulmuar selinë e opozitës e duke sjellë kaos, të lënduar dhe të plagosur.
“Raportohen disa të plagosur në anën e protestuesve, një akt i paralajmëruar nga deklarata e policisë sot, e cila shmangu përgjegjësinë duke thënë se nuk e garantonte protestën e sotme, duke shpërfillur kështu një prerogativë kushtetuese.
Partia Demokratike dënon me forcë dhunën e përdorur nga narkopolicia, plagosjet me plumba gome, përdorimin e gazit lotsjellës dhe mosrepektimin e së drejtës kushtetuese për protestë” thuhej mes te tjerash ne reagim.
Por jo vetëm kaq.
Gjatë protestës së djeshme u lënduan edhe disa qytetarë, mes tyre edhe nënkryetari i PD, Luciano Boci, të cilët u dërguan në spital për mjekim. Këta të fundit u vizituan në spital nga Berisha.
Ky i fundit doli sërish në një deklaratë duke e quajtur policinë ‘bandë e veshur me uniformë’ do të mbante përgjegjësi, ndërsa paralajmëroi një tjetër protestë edhe më të fuqishme.
Lidhur me protestën pati edhe një reagim nga kryeministri Edi Rama. Me anë të një postimi në platformën “X”, ai postoi një foto të xhamisë së Namazgjasë në Tiranë, teksa ishte e shoqëruar me fishekzjarrët që u përdorën në protestë. Foton ai e shoqëron me mbishkrimin: “Kur mortja e shtyn qenërinë tek dera e xhamisë…”.
Lidhur me të gjitha incidentet që u krijuan dje, janë arrestuar 17 persona ndërsa 35 të tjera janë në hetim në gjendje të lirë.
Partia Demokratike proteston për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe ish.zv.kryeministres, Belinda Balluku, e pandehur nga SPAK për tunelin e Llogarase dhe në hetim për Unazën e Madhe.