Një ngjarje në kufijtë e pabesueshmes ndodhi në Shkodër ku nëna u mbyt në lumë me 3 fëmijët e saj të mitur, pas tradhëtisë dhe dhunës nga bashkëshorti i saj Erdgys Arrazit, i arrestuar nga policia.
Familjarët e këtij të fundit, jashtë kamerave, janë shprehur se janë të lënduar dhe të shokuar nga tragjedia e vetëmbytjes së gruas së djalit të tyre, bashkë me 3 fëmijët. Ata kanë thënë se nuk ia falin nuses veprimin që ka bërë dhe kanë pranuar së çifti kohet e fundit kishin pasur debate.
“Jemi të lënduar dhe shokuar, nuk ia falim nuses vendimin fatal, duke i marrë jetën vetes dhe tre fëmijëve. Erdgysi i kishte pikë të dobët fëmijët, ai nuk i ka keqtrajtuar asnjëherë. Punonte gjithë ditën në dyqan celularësh për t’i dërguar në shkolla private. Alma merrte ilaçe në ambulatorin e lagjes për gjendje te rënduar emocionale por këtë vendim as nuk mund ta imagjinonim”, shprehen ata.
Deri më tani është gjetur vetëm trupi i 9 vjeçares Ergesa Arrazi, e cila u përcoll sot për në banesën e fundit. Ndërkohë kërkimet vijojnë për të gjetur trupat e nënës dhe dy fëmijëve të tjerë, por ende pa rezultat.
Policia ka sekuestruar pamje të kamerave të sigurisë ku shihet Alma Arrazi me 3 fëmijët duke pirë kafe në një lokal pranë urës së Bunës. Por më pas nuk është kapur në asnjë kamera sigurie.