Në Gjykatën e Apelit mbahet seanca për vulën e PD-së, Kaso: Kërkojmë mos pranimin e ankimit të Enkelejd Alibeajt

Në Gjykatën e Apelit po zhvillohet seanca për vulën e PD, që pritet të japë zgjidhje përfundimtare për “luftën” brenda partisë,  “luftë” e nisur në fundin e vitit 2021.

Përfaqësuesi ligjor i Rithemelit, Ivi Kaso ka paraqitur në seancën gjyqësore kërkesën për rrëzimin e ankimimit të Enkelejd Alibeajt. Ai ka kërkuar lënien në fuqi të vendimit të gjyqtarit Agron Zhukri dhe njohjen e vendimeve të Kuvendit Kombëtar të PD-së të datës 11 Dhjetor 2021.

“Vlerësojmë që Gjykata e Lartë ka orientuar Apelin në argumentet e veta, me arsyen kryesore që Apeli s’ka kuptuar thelbin e çështjes, pra që kjo çështje bëhet pa praninë e palëve të tjera. Është shumë specifike sa i takon verifikimit të këtyre vendimmarrjeve, për aktet e një subjekti politik. Ligji thotë që duhet të jenë të kujdeshme, ka vetëm një palë dhe ankimimi bëhet po ashtu nga pala që ka vënë në lëvizje gjykatën. Alibeaj firmos një vendim me autorizim të kryetarit që jo vetëm ishte shkarkuar nga një kuvend, por dhe kishte dhënë dorëheqjen publikisht me datë 21 mars. Përfundimisht kërkojmë mos pranimin si palë” tha Kaso.

Ndërkohë përfaqësuesi ligjor i Partisë Demokratike zyrtare, Rezart Kthupi ka pretenduar se kërkesa e palës tjetër nuk është e mbeshtetur në ligj dhe kërkoi rrëzimin e saj.

Çështja në Apel do të shqyrtohet nga një treshe gjyqtarësh me relatore Alma Ahmeti, ndërsa dy anëtarët janë Iliba Bezati dhe Elona Toro. Vendimi që do të marrë kjo treshe gjyqësore do të jetë një vendim i formës së prerë.

Ishte Gjykata e Lartë që ktheu çështjen në Apel, dhe në vendimin e zbardhur në 27 dhjetor të vitit të kaluar udhëzon shkallën e dytë të gjyqësorit që të japë zgjidhje përfundimtare për këtë çështje.