Ndryshimet Kushtetuese, Rama: Të ngrihet një grup nismëtar, Kuvend me 100 deputetë

Kryeministri Edi Rama, gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të Partisë Socialiste, tha se brenda këtij mandati kanë ambicie të miratojnë një reformë të re kushtetuese.

Gjatë fjalës së tij, Rama foli për ngritjen e një grupi nismëtar për ndryshimet kushtetuese, që do të zvogëlonte në numër Parlamentin, nga 140 ulëse në 100.

“Kemi shtruar nevojën që Kuvendi i Shqipërisë të zvogëlohet në numër, kemi Kuvend me 140 vetë, fare mirë mund të kemi Kuvend me 100 vetë”- tha kryesocialisti.

“Ne jemi këtu për të bërë punën tonë dhe për te gjitha arsyet që i dimë puna jonë nuk pret. Do të ishte qeshi mbi torte sikur të tjerët të ishin të interesuar të bënin të njëjtën punë për vendin dhe anëtarësimin e vendit ne BE. Janë të angazhuar të përcjellin jashte kufinjve se ky vend është një narkoshtet.

Kemi shtruar nevojën që Kuvendi i Shqipërisë të zvogëlohet në numër, kemi Kuvend me 140 vetë, fare mirë mund të kemi Kuvend me 100 vetë. Ka dhe aspekte të tjera që duhen zgjedhur nga njerëzit që dinë se çfarë shohin, lexojnë, thonë.

Kur vjen fjala te Kushtetuta e Shqipërisë duhet ngritur një grup që pastaj të hapë një proces, është shumë më tepër se një reformë zgjedhore, kërkon shumë më tepër hapësirë angazhim, burime. Ambicia do jetë duhet të jetë që në fund të mandatit të kalojmë edhe një Reformë Kushtetuese”, tha ai.