Ndryshime në Policinë Rrugore të Tiranës, Neritan Buzi emërohet shefi i ri i qarkullimit

Komisariati i Policisë Rrugore në Tiranë ka një drejtues të ri. Neritan Buzi është emëruar në krye të këtij reparti, duke zëvendësuar Lorenc Shehun, i cili ishte i komanduar në këtë detyrë.

Buzi ka mbajtur më parë funksione të rëndësishme brenda strukturave të Policisë së Shtetit. Ai ka qenë shef i Komisariatit të Policisë në Himarë dhe në muajin qershor u transferua në doganën e Qafë Botës, përpara se të rikthehej në një nga postet më të rëndësishme në Policinë Rrugore.

Komisariati i Policisë Rrugore në Tiranë ka qenë së fundmi në qendër të vëmendjes për shkak të disa lëvizjeve në nivelet drejtuese. Fillimisht, drejtimin e mbante Roven Zeka, i cili u largua pas arrestimit nga SPAK. Më pas, posti iu besua përkohësisht Lorenc Shehut, ndërsa tani është zyrtarizuar emërimi i Neritan Buzit.

Ky ndryshim vjen në një moment kur pritet intensifikimi i kontrolleve dhe masave për rritjen e sigurisë rrugore në kryeqytet.