Kryeministri Edi Rama ka njoftuar se turin për takimin me shqiptarët e Gjermanisë dhe Anglisë e ka shtyrë për në muajin shtator.
Në Asamblenë e PS-së, që po zhvillohet online, Rama tha se takimi me shqiptarët në Londër u shty për shkak të zgjedhjeve të parakohshme në Britani, ndërsa në Gjermani u shty për shkak të ndeshjes së Kombëtares shqiptare në Kampionatin Europian.
Ai paralajmëroi se do të ketë edhe një takim tjetër me shqiptarët në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Turi do të vazhdojë në shtator, duke qenë se për shkak të zgjedhjeve të parakohshme në Londër, u bë një problem më vete marrja e sallës që kishim prenotuar më parë, dhe me të drejtë sepse në një situatë zgjedhore, është normale që edhe ne ta shtynim këtë takim.
Po kështu, duke qenë se parashikimi apo përgatitja për të bërë takimin tjetër të Duseldorfit në një moment shumë afër me ndeshjen e Kombëtares, nuk do të donim ë krijohej një ide për përzierjen e dy gjërave.
Prandaj në shtator do të rimarrim përsëri turin dhe do të zhvillojmë takimet e Gjermanisë dhe Britanisë së Madhe, ndërkohë do të përgatisim një takim edhe në Shtetet e Bashkuara”, tha Rama.