Këtë fillim shtatori, arti shqiptar humbi një nga ikonat e tij më të mëdha, regjisorin dhe artistin e madh Dhimitër Anagnosti.
Për ndarjen nga jeta të regjisorit të shquar ka reaguar edhe kryeministri Edi Rama, teksa e konsideron si “babai i kinemasë shqiptare”.
Në një postim në rrjete sociale,Rama kujton njohjen e tij me regjisorin që në moshë të re dhe ndalet te filmi “Lulëkuqe mbi mure”, që sipas tij është kryetitulli i ekranit të historisë së filmit shqiptar.
“Lamtumirë Barba Taqo, u prehsh në paqe Grand Master”- shprehet Rama mes të tjerash.
“Babai i kinemasë shqiptare, autori i shumë skenarëve që shenjuan rrugën e kinematografisë sonë të re në një kohë tejet të vështirë për ëndrrat krijuese, regjisori i plot filmave të arrirë dhe i filmit kult “Lulëkuqe mbi mure” që ka mbetur sot e gjithë ditën si kryetitulli i ekranit të historisë së filmit shqiptar, mjeshtri i shumërespektuar nga i madh e i vogël dhe vunjotësi kryeneç që mezi e priste verën për t’u arratisur nga qyteti e shkuar poshtë, tek shtëpia e fëmijërisë në Vlorë, e më vonë tek kasollja e tij buzë detit në Jalë, Barba Taqo siç e njoha unë kur isha fare i vogël e ai ende shumë i ri apo Dhimitër Anagnosti, siç e njohin të gjithë dashamirët e filmit dhe tërë ata që e deshën a jo, ndërroi jetë pasi jetoi gjithnjë me kokën lart.
Lamtumirë Barba Taqo, u prehsh në paqe Grand Master!”shkruan Rama.