Ndalimi i monopatinave, Qëndresa Qytetare proteston nesër përpara Policisë Rrugore

Dy ditë më parë, Ministrja e Brendshme, Albana Koçiu njoftoi në Facebook mbi vendimin për të ndaluar dhe bllokuar monopatinat elektrike, duke shkaktuar pakënaqësi te shumë qytetarë, të cilët nuk ishin paralajmëruar më herët.

Prej dy ditësh, Policia e Shtetit ka ndaluar qytetarët, të cilët lëvizin me skutera, por njëkohësisht duke sekuestruar këto mjete, që janë kthyer në një mjet të domosdoshëm për të lëvizur.

Qëdresa Qytetare ka paralajmëruar një protestë ditën e mërkurë, në orën 10: 00 përpara Policisë Rrugore duke kundërshtuar këtë aksion të paligjshëm,

Sekuestrimi i këtyre monopatinave, thuhet në njoftimin e Qëndresë Qytetare, është bërë në shkelje të hapur të ligjit, duke ekspozuar qytetarët përballë kostove financiare të padrejta dhe mbi të gjitha jemi në kushtet e cenimit të pronës private.

LEXO EDHE: https://ditar.al/ndalim-i-monopatinave-me-urdher-facebook-u-ku-fillon-siguria-dhe-ku-mbaron-ligji-per-policine-e-shtetit/

Njoftimi i Qëndresës Qytetare:

Me qindra monopatina u janë sekuestruar qytetarëve të Tiranës mbi bazën e një urdhri në rrjetet sociale për të cilin nuk ka asnjë shkresë zyrtare nga Ministria e Brendshme.

Sekuestrimi i këtyre monopatinave është bërë në shkelje të hapur të ligjit, duke ekspozuar qytetarët përballë kostove financiare të padrejta dhe mbi të gjitha jemi në kushtet e cenimit të pronës private.

Të gjithë pronarët e motomjeteve, të gjendur para kësaj situate, nuk dinë më çfarë të bëjnë. Nëse mjeti yt është konfiskuar dhe po mbahet në mënyrë të paligjshme, të ftojmë të mblidhemi ditën e mërkurë, ora 10:00, para Komisariatit të Policisë Rrugore në Tiranë për të kërkuar llogari mbi këtë aksion të paligjshëm.