“Naftëtarët përfitojnë, punonjësit e Poliçanit jo”, Sokol Dautaj i përgjigjet Naços: Kemi vendim gjyqi për pagat e prapambetura, por s’kemi marrë asgjë

“Kryetari i Komisionit të Sigurisë, Nasip Naço, gjatë interpelancës me Ministrin e Mbrojtjes, Niko Peleshin, ka kërkuar nga ky i fundit përgjigje në lidhje me projektligjin që është depozituar, por ende ish-punonjësit e Poliçanit nuk kanë marrë asnjë pagë të prapambetur.

Por, teksa kërkonte të drejtat e ish-punonjësve të Poliçanit, ai hodhi fjalë linçuese ndaj naftëtarëve të Ballshit, duke u shprehur se përse ata janë mbështetur me ndihma ekonomike përpara punonjësve të Poliçanit.

“Ju keni firmosur për dhënien e pagesave të punonjësve të Ballshit, por jo për Poliçanin. Çfarë t’u them këtyre punonjësve, rreth 4 mijë qytetarëve që presin lajme nga ju si ministër? Si të justifikohem përpara tyre? Më pyesin, si ka mundësi që për ish-punonjësit e rafinerisë së naftës në Ballsh, një kompani private, është mbështetur nga qeveria dhe ne nuk mbështetemi”, u shpreh Naço ndër të tjera.

Ndërkohë, ne kontaktuam me kryetarin e Sindikatës së Naftëtarëve, Sokol Dautaj, për një reagim në lidhje me deklaratën e deputetit Nasip Naço.

Në prononcimin për Media Ditarin, Dautaj kërkoi të sqarojë Nasip Naçon se naftëtarët nuk kanë marrë asnjë pagë të prapambetur, por kanë marrë një ndihmë ekonomike pas një dakordësie me kryeministrin Rama, pasi ky i fundit u premtoi se do të rihapte Rafinerinë e Ballshit.

Ai tha se më shumë se 600 naftëtarë kanë fituar gjyqin me vendim të formës së prerë për të marrë pagat e prapambetura, por deri më tani nuk kanë përfituar asgjë.

“Dua të sqaroj zotin Naço se pagesa që kanë marrë naftëtarët e Rafinerisë së Ballshit nuk kanë qenë pagat e prapambetura, por një ndihmë ekonomike pas dakordësisë me kryeministrin Rama, që brezi i naftëtarëve të mos hidhej poshtë. Neve na u premtua edhe rihapja e rafinerisë dhe rifillimi i punës, por jo vetën që kjo nuk u bë, por rafineria u shit për skrap, bashkë me shpresën tonë për të marrë atë që na takon.

Prej vitesh naftëtarët e Ballshit janë përbuzur dhe janë lënë pa u paguar nga firmat private që e merrnin rafinerinë dhe e linin me borxhe, ndërkohë që sot jemi pa asnjë shpresë, pasi ajo pagë ishte e vetmja mundësi për të mbajtur qindra familje.

Unë uroj që situata e ish-punonjësve të Poliçanit të zgjidhet sa më shpejt dhe ata t’i marrin sa më parë pagat që u takojnë, pasi janë para’ të përfituara falë punës së tyre të ndershme, me shpresën që të mos përfundojnë si naftëtarët, që edhe pse kanë vendim gjyqi të formës së prerë, nuk dinë ku të drejtohen për të marrë djersën e tyre”, u shpreh Sokol Dautaj.

Sot, qyteti i Ballshit lëngon për shkak të papunësisë, varfërisë dhe emigrimit masiv, pasi e vetmja mundësi e tyre për t’u ushqyer ishte rafineria. Naftëtarët mbajnë fort vendimin e gjykatës, me shpresën se një ditë do të marrin atë çfarë u takon.

Te premtimet nuk kanë më besim, edhe pse e dinë se me afrimin e fushatës elektorale, politikanët do të shkojnë sërish në Ballsh për të kërkuar votën dhe çështja e pagave të prapambetura do të rihapet sërish, deri në përfundimin e zgjedhjeve, për t’i lënë sërish vend heshtjes dhe injorimit.