Në anën perëndimore të ishullit të Sazanit, aty ku dallgët përplasen me shkëmbinjtë e thepisur, ndodhet një zonë që njerëzit e detit e kanë pagëzuar si “Gryka e Xhehenemit” apo porta për në ferr.
Në sipërfaqe, ujërat transparente të ofrojnë një pamje përrallore, gati idilike të Mesdheut, pikërisht ajo lloj bukurie natyrore që mendohet se do të tërheqë elitën e turizmit botëror. Por nëse zhytesh vetëm 5 deri në 30 metra në thellësi, kartolina turistike kthehet në një skenë lufte të ngrirë në kohë.
Aty, në një hapësirë detare prej 5 mijë metrash, pushojnë në heshtje mes florës detare predha artilerie 200 milimetra të Luftës së Dytë Botërore, mina kundër nëndetëseve dhe tonelata eksplozivi të gatshme për të shpërthyer.
Dokumentet zyrtare të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura dhe dëshmi nga njohës të ishullit thonë se fusha të ngjashme “të minuara” ka thuajse në çdo anë të ishullit. Municionet e pashpërthyera nuk i kanë ndaluar planet e qeverisë dhe investitorëve të huaj për të ndërtuar një resort në dhe port turistik në Sazan.
Në fund të vitit 2024, qeveria e kryeministrit Edi Rama i dha statusin e “Investitorit Strategjik” kompanisë Atlantic Incubation Partners LLC, të lidhur me Jared Kushner, dhëndrin e Presidentit amerikan Donald Trump. Investimi i premtuar, në të cilin shteti shqiptar është ortak pasi vendos në dispozicion pronën dhe lehtësi të tjera, kap vlerën e 1.4 miliardë eurove. Përpos Kushner, i cili e bëri publike idenë, në projekt janë të përfshirë tashmë edhe miliarderë nga Katari.
Planet, që ende mbeten teorike dhe janë vetëm në letër, ndryshuan sërish në fund të vitit që shkoi kur Komiteti i Investimeve Strategjike, KIS, shtyu afatet për projektin, i cili parashikon transformimin e 45 hektarëve të ishullit në një rrjet vilash e resortesh luksoze, dhe shtoi përfitimet për investitorin.
Kështu, për të mundësuar këtë investim, qeveria shqiptare bëri lëshime të reja legjislative. Përveç ndryshimeve të mëparshme e të debatuara në ligjin për “Zonat e Mbrojtura” në kundërshtim me rekomandimet e Bashkimit Evropian, u miratuan ndryshime ekskluzive në ligjin për portet turistike për të lejuar kontrata pa garë për investitorët strategjikë. Mbi të gjitha, KIS tani ia ngarkon Ministrisë së Mbrojtjes pastrimin e ishullit dhe detit rreth tij nga municionet e paplasura.
Por ndërkohë që qeveria ka shtruar tapetin e kuq legjislativ në sipërfaqe, nënujë realiteti mbetet kokëfortë.
Të dhënat nga Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, në përgjigje të një kërkese për të drejtë informimi nga BIRN, dëshmitë e ekspertëve të marinës, peshkatarëve dhe biologëve, zbulojnë se Sazani dhe ujërat janë një fushë e minuar. Asgjësimi i kësaj trashëgimie e cila mund të jetë vdekjeprurëse kërkon shpenzime të mëdha, palombarë të specializuar, dhe një operacion pastrimi të madh.
Artur Meçollari, ish-zyrtar i lartë i Forcave Detare dhe ekspert i marinës, thekson se prania e municioneve e bën ishullin të rrezikshëm për civilët dhe turistët, çka sipas tij vë në pikëpyetje gjithë planin për zhvillimin e turizmit, pasi ky i fundit mbështetet te liria e njerëzve për të lëvizur, notuar dhe lundruar të sigurt në ujërat përreth.
“Problemi është: pasi të bësh ndërtimin, a janë turistët të sigurt?” pyet ai. “Në momentin që pastron vetëm zonën ku do të ndërtohet, pjesa tjetër përbën problem për të ardhmen,” shtoi Meçollari.
Katër zonat e rrezikut në det
Ishulli i Sazanit shërbeu si bazë ushtarake detare gjatë regjimit komunist dhe administrohet ende nga Ministria e Mbrojtjes. Për t’i hapur rrugën përfitimit të statusit të investitorit strategjik, presidenti i Republikës, Bajram Begaj firmosi me urgjencë më parë një dekret për nxjerrjen e një zone të stërvitjes jashtë planit të përhapjes së Forcave të Armatosura.
Megjithatë, trashëgimia shekullore e ishullit si zonë ushtarake ka lënë gjurmët e saj.
“Në ishullin e Sazanit dhe në ujërat përreth tij, pavarësisht punës së kryer për identifikimin dhe pastrimin e municioneve të paplasura… ekziston mundësia dhe rreziku i pranisë së municioneve të pashpërthyera në territorin tokësor, vijën bregdetare, si dhe ujërat detare përreth ishullit”, shkruan Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura në një përgjigje për BIRN.
Shtabi i Përgjithshëm shkruan se ka identifikuar katër zona me prani masive të municioneve të paplasura në ujërat detare përreth ishullit.
Sipas SHPFA në vitet 2013-2015 u kryen disa operacione ushtarake pastrimi në tre prej këtyre zonave, por sasia e eksplozivëve mbetet e frikshme. Vetëm në Zonën 3, në verilindje të ishullit, e cila konsiderohet më e kontaminuara, u nxorën dhe demoluan rreth 30 tonë municione të kalibrave të ndryshëm.
“Në këtë zonë janë konstatuar municione të kalibrave të ndryshëm si dhe barut, të shpërndara në një hapësirë rreth 7000 m² me dhe pa diegore. Në këtë zonë, janë nxjerrë dhe demoluar rreth 30 tonë municione të kalibrave të ndryshëm”, thuhet në përgjigje.
Në zonat e tjera, 1 dhe 2, ku po ashtu u identifikuan disa mijëra metra katrorë të kontaminuar, Shtabi nuk përmend sasi të municioneve të nxjerra nga deti, por tregohet i kujdesshëm të thotë se aty mund të ketë ende prani të municioneve.
“Pavarësisht operacioneve të kryera për pastrimin e zonave 1, 2 dhe 3, ekziston mundësia që rrymat detare të kenë zbuluar dhe spostuar municione të tjera të paplasura, të cilat gjatë periudhës së kryerjes së operacioneve mund të kenë qenë të mbuluara nga rëra dhe sedimente të fundit të detit”, thuhet në përgjigje, ku theksohet se edhe në këto zona ku është ndërhyrë ekziston mundësia që të ketë municione të paplasura.
Megjithatë, sipas SHPFA problemi kryesor vjen nga zona e katërt apo “Gryka e Xhehenemit”.
Të dhënat e Ministrisë së Mbrojtjes tregojnë se në këtë zonë në perëndim të Sazanit, në një hapësirë prej 5000 metrash katrorë dhe në thellësi 5 deri në 30 metra, ka prani municionesh të paplasura.
“Në këtë zonë nuk janë kryer operacione pastrimi”, thekson Shtabi.
Kjo gjendje konfirmohet në terren nga peshkatarë e vizitorë të tjerë të zonës.
Një zhytës 60-vjeçar, i cili kërkoi të mbetet anonim, rrëfen se thellësitë e Sazanit mbeten një depo e hapur armatimesh dhe se operacionet e pjesshme të ushtrisë shpesh nuk i rezistojnë forcës së natyrës.
“Deti është i vështirë për t’u pastruar,” thotë ai. “U bë një operacion, por deti nxjerr të reja, nuk është kollaj të pastrohet”.
Ai dëshmon se pikërisht në “Grykën e Xhehenemit”, ku zhytej për oktapodë ka parë me sytë e tij mbi 50 predha artilerie italiane të kalibrit 200 milimetra.
Peshkatari thotë se i njeh mirë këto armatime, pasi ka shërbyer në marinë në vitet 1985–1987, pikërisht në anijet dragaminë për pastrimin e minave detare.
“Në afërsi të plazhit, zonës që njihet si plazhi i Sazanit, ka mina kundër nëndetëseve. Ka edhe predha të mëdha,” tregon ai, duke kujtuar vitet e shërbimit në marinë.
“Ne nuk zhyteshim për municionet, kështu që nuk mund t’ju them sa janë, por janë shumë,” shton ish-marinari.
Sipas tij, rreziku që paraqesin këto armatime është i heshtur, por potencialisht vdekjeprurës.
“Këto, sidomos minat kundër nëndetëseve, teorikisht i kanë mekanizmat shpërthyes jashtë funksioni, por eksplozivi mbetet aty. Nëse nuk i ngacmon, nuk ka rrezik. Por nëse preken apo lëvizen, pasojat mund të jenë fatale,” tha ai.
Kostot e larta të çminimit
Planet për ishullin e Sazanit dhe kthimin e tij në një ‘parajsë turistike’ nuk janë të reja.
Ish-baza ushtarake e braktisur është bërë shpeshherë objekt i ëndrrave multimilardëshe në Shqipëri, duke përfshirë ngritjen atje të një kazinoje apo formave të tjera të shfrytëzimit.
Në përgjigjen për BIRN as SHPFA dhe as Ministria e Mbrojtjes nuk iu përgjigjën pyetjes se sa do të kushtonte operacioni i pastrimit në tokë dhe në det i Sazanit.
“Forcat e Armatosura gjatë vitit 2025 kanë kryer rikonicion për vlerësimin e terrenit dhe llogaritjen e aseteve të nevojshme dhe mënyrat e ndërhyrjes për kryerjen e operacioneve të pastrimit të territorit të ishullit nga municionet e paplasura”, tha SHPFA.
Por ndërsa Shtabi shprehet me gjuhën e kujdesshme burokratike, ekspertët vizatojnë një peizazh shumë më dramatik të situatës që i pret investitorët dhe shtetin.
Për Artur Meçollarin, ngërçi nuk është thjesht teknik, por mbi të gjitha financiar dhe logjistik.
“Problemi qëndron jo se nuk e bëjmë dot, por do lekë të madh dhe nuk dihet ku do të demontohen,” tha ai. “Ky është problemi i madh, se që të pastrosh aty, municionet duhet të çohen në poligon, do t’i vendosësh diku tjetër,” shtoi Meçollari.
Ai kujton operacionet e mëparshme të Flotës Detare, sidomos rreth viteve 1999-2002, ku u hoqën 37 tonë municione nga sipërfaqe të evidentuara qartë.
“E pagoi flota, e bëri ajo operacionin,” kujtoi ai. “U desh 1 muaj kohë, 60 veta të angazhuar vetëm për këtë, përfshirë 4-5 palombarë për thellësi deri në 10 metra”, shpjegoi ai.
Sipas tij, operacionet nënujore asgjësimit të mjeteve shpërthyese (EOD), janë jashtëzakonisht komplekse, ndërsa Forcat e Armatosura përballen me mungesë kapacitetesh njerëzore për realizimin e tyre.
“Kërkon një angazhim shumë të madh kohor, duhen kapacitete palombarësh të specializuar”, tha Meçollari, ndërsa shton se operacioni i kontrollit pas pastrimit është hapi më kompleks.
Sipas Meçollarit, municionet në Sazan nuk rrezikojnë operacionet portuale apo lundrimin e madh, por ekuacioni ndryshon kryekëput kur zona kthehet në fshat turistik.
Për rrezikun nga municionet e pashpërthyera në Sazan dëshmon edhe Simo Ribaj, biolog i cili kryen shpesh ekspedita zhytjeje në atë zonë për studimin e florës dhe faunës, ndërsa thotë se vizitorët shpesh u tremben këtyre pirgjeve me eksplozivë.
Megjithatë sipas tij rreziku nuk kufizohet vetëm nënuje.
“Ndërsa në ishull ka qenë shumë keq, para 10-15 vitesh, u pastrua, por ama prania është, sepse mbulohen e zbulohen dhe janë potencialisht të rrezikshme,” thotë ai.
Sipas tij ishulli ka nevojë për një kontroll me pajisje të specializuara, pasi shumë prej municioneve mund të jenë mbuluar nga koha, por mund të zbulohen nga erozioni apo punimet e reja.
“Ato të detit janë më stabël, janë më lehtë për t’u gjetur se të tokës,” thekson ai, duke konfirmuar se i ka parë në det edhe para një viti.
Prania e municioneve vë në pikëpyetje planet për plazhe dhe turistë elitarë. Ribaj dëshmon se ka parë predha thuajse në të gjithë perimetrin e ishullit, por edhe në afërsi të portit, duke theksuar se pastrimi i një terreni kaq të vështirë nënujor “do një punë të madhe që t’i futesh saktë” dhe se ky proces “bëhet vetëm me ekspertë të fushës”.
Për biologun, prania e këtyre mbetjeve të luftës është e papajtueshme me industrinë e mikpritjes dhe flukset njerëzore.
“Ato janë absolutisht të rrezikshme dhe kjo nuk shkon me turizmin”, përfundoi ai./BIRN