Kontroll i befasishëm në burgun e Durrësit, sekuestrohet një iPhone

Një telefon i tipit iPhone është gjetur dhe sekuestruar në burgun e Durrësit. Lajmi u bë i ditur nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, gjatë kontrollit të ushtruar në godinën “B”.

Mësohet se krahas telefonit, u sekuestrua edhe një karikues dhe fishë lidhëse e improvizuar.

Kontrolli në burgun u Durrësit u bë në bashkëpunim  me SPAK dhe Byronë Kombëtare të Hetimit.

Strukturat e specializuara të SHKBB, në koordinim me SPAK dhe BKH, po vijojnë hetimet dhe procedurat e mëtejshme sipas ligjit.

“Gjatë kontrollit të ushtruar në godinën “B”, u konstatua dhe sekuestrua një aparat celular tip iPhone, së bashku me karikues dhe fishë lidhëse të improvizuar. Lidhur me rastin janë kryer veprimet procedurale përkatëse dhe është mbajtur procesverbal për bllokimin dhe sekuestrimin e sendeve të ndaluara”, thuhet në njoftim.

Ndërkohë ende nuk dihet se cilit prej të burgosurve i përket telefoni i sekuestruar.