Mocioni me debat i zhvilluar dje në Kuvend mbi raportin e Parlamentit Europian për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian, pritej të ishte një përballje e fortë mes mazhorancës dhe opozitës mbi atë që shkruhej në atë raport, por e kundërta ndodhi.
Edhe pse opozita e kishte kërkuar me ngulm këtë debat, pas 2-3 fjalimeve të para, deputetët demokratë braktisën sallën, duke preferuar të mos i ndjekin deklaratat e kolegëve të tyre. Të njëjtën gjë bënë edhe ata të mazhorancës, të cilët tashmë janë mësuar që shkojnë në Kuvend në fillim vetëm për të plotësuar kuorumin dhe në fund të seancës, për të votuar ligjet që sjell qeveria.
Madje, jo vetëm që nuk pamë një debat të fortë mbi raportin e Parlamentit Europian, por në fund të dyja partitë e mëdha, PS dhe PD, bashkuan votat për të miratuar një rezolutë të përbashkët për integrimin në Bashkimin Europian.
Një rezolutë që nuk ka asnjë vlerë, pasi negociatat mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian kanë ngecur për shkak të mbrojtjes që mazhoranca i bëri të pandehurës Belinda Balluku, ku me 83 vota pengoi drejtësinë të bënte punën e saj dhe të arrestonte ish-ministren e akuzuar për abuzime me qindra milionë euro.
Pavarësisht se kryeministri Rama e mohon se ka ngecje negociatash, vendimi për të mos miratuar raportin e vlerësimit të Piketave të Ndërmjetme (IBAR), tregon se anëtarësimi po ngelet vetëm në premtimet e qeverisë.
Por ajo që ngriti më shumë pikëpyetje ishte bashkimi i votave mes PS-së dhe PD-së.
Mediat raportuan se dy netë më parë kishte pasur një komunikim mes Taulant Ballës dhe Gazment Bardhit për dakordësimin e rezolutës. Bardhi e mohoi publikisht një telefonatë të tillë, por pavarësisht kësaj, mesazhet e shpërndara brenda grupit socialist tregojnë qartë se rezoluta ishte trajtuar si një moment bashkëpunimi mes dy partive të mëdha.
Në mesazhin e dërguar deputetëve socialistë kërkohej promovimi maksimal i rezolutës në rrjetet sociale, duke theksuar se Shqipëria është “më afër se kurrë” Bashkimit Europian dhe duke falënderuar edhe opozitën për mbështetjen.
“Mos humbisni mundesine per nje reels per rezoluten, jepini peshen publike qe i takon, se eshte moment shume i rendesishem. Sido ta interpretoni, theksoni qe jemi me afer se kurre /qe kemi nje plan te perbashket kombetar dhe falenderoni koleget e opozites qe u bene pjese”, shkruhej në mesazhin e dërguar socialistëve.
Por, bashkimi i votave të djeshme ishte vetëm sinjali i parë i marrëveshjeve të radhës mes dy partive të mëdha, dhe “pazari i madh” mes të dyjave duket se do të jetë Reforma Zgjedhore.
Rreth 1 muaj më parë, bashkëkryetari socialist i Komisionit të Reformës Zgjedhore, Damian Gjiknuri, deklaroi se e mirëpret propozimin e Partisë Demokratike për ndryshimin e sistemit zgjedhor, por duke vendosur një kusht, uljen e numrit të deputetëve, nga 140 në 101.
Partia Demokratike ka propozuar një sistem porporcional kombëtar me lista të hapura, dhe me një prag elektoral 4%. Në gjirin e saj është futur edhe “Shqipëria Bëhet” e Adriatik Lapajt, me këtë të fundit që është edhe propaganduesi kryesor i pragut 4%.
Dhe pikërisht ky prag elektoral duket se është edhe “çelësi” i marrëveshjes mes Partisë Demokratike dhe asaj Socialiste, që mund ta detyrojë PD-në të pranojë kushtin e PS-së për uljen e numrit të deputetëve.
Një prag 4% do ta bënte pothuajse të pamundur hyrjen në Kuvend për partitë e vogla, sidomos nëse numri i mandateve ulet në 101. Sipas rezultateve të zgjedhjeve të fundit, parti si “Mundësia”, “Lëvizja Bashkë” apo PSD do ta kishin shumë të vështirë sigurimin e mandateve.
Në këto kushte, partitë e vogla ose do të detyroheshin të bashkoheshin me PD-në, ose do të rrezikonin daljen nga skena politike.
Dhe “vrasja” e partive të vogla është në interes të partive të mëdha. PS dhe Edi Rama do të vijonin të qëndronin të pashqetësuar në pushtet me një opozitë të përçarë, ndërsa Partia Demokratike do të ruante monopolin e opozitës, që duket se është e vetmja gjë që i intereson.
Pra, bashkimi i votave të djeshme ishte vetëm një sinjal i pazareve të radhës mes dy partive të mëdha, teksa shqiptarëve u mbetet të shohin se si PS – PD akuzojnë njëra – tjetrën në publik, ndërsa ndajnë përfitime pas shpinës së qytetarëve.