Kryeministri Edi Rama iu është përgjigjur deputetëve të opozitës se përse ai nuk ishte i pranishëm sot në Davos, ku u nënshkrua “Bordi i Paqes” ku e pranishme ishte edhe presidentja e Kosovës.
Gjatë fjalës së tij, Rama tha se duhet të zgjidhte të ishte në Davos apo në Vlorë, ku ndodhej Ivanka Trump, vajza e presidentit Donald Trump, për investimin në Sazan.
Rama tha se zgjodhi të jetë në Vlorë, krah Ivanka Trump, duke thënë se bëri zgjedhjen e tij me lejen e presidentit amerikan.
“Meqë po përsëritet e njëjta pyetje dhe mos shqetësoheni pse unë nuk jam atje se mezi prisnit, duhet të bëja një zgjedhje mes ti përgjigjesha ftesës së babait apo të mikprisja vajzën këtu në Shqipëri. Edhe zgjodha vajzën. Natyrisht që vajzën e zgjodha me lejen e babait. E dyta, duke qenë se zoti Mediu është ura që lidh Amerikën me rrugën e shpresës, unë prisja nga zoti Mediu në fakt që të hidhte poshtë pretendimin e Britanisë dhe të mbante anën e Amerikës, por s’ka problem, se nuk shohim asnjë arsye për të parë divergjenca të tilla”, tha Rama.