Për Agron Shehajn, procesi i kthimit të pronave te ish-pronarët është një nga padrejtësitë më të mëdha që kanë ndodhur në këto 34 vite.
Në takimin me qytetarët në Berat, një zonjë i tha Shehajt se babai i saj kishte ndërruar jetë pa e marrë ende pronën e tij, pasi e gënjyen prej vitesh nëpër gjykata, teksa e pyeti kreun e Mundësisë se cili ishte programi i partisë së tij për këtë çështje.
Shehaj tha se në ditën që Partia Mundësia do të marrë pushtetin, procesi i kthimit të pronave do të zgjidhet, pasi është një nga çështjet më të rëndësishme. Ai u shpreh se shteti duhet të jetë në krah të pronarëve, që këta të fundit të mos detyrohen që pronat e tyre t’i ndajnë me sekserë e gjyqtarë të korruptuar.
Pjesë nga biseda:
Zonja: Jam vajza e një babai që para disa ditësh ndërroi jetë, duke renditur pas gjykatave, 30 vite gjyqe. Nëpër gjykata vetëm për të kërkuar pronën e tij. Si shumë shqiptarë, e gënjyen se prona do të shkonte te pronari. Në politikën tuaj, çfarë zgjidhje do jepni për ish-pronarët që nuk gëzojnë dot tokat e të parëve? Dosjet e babait tim janë akoma të pashqyrtuara.
Shehaj: Pronat janë padrejtësia më e madhe që i është bërë popullit shqiptar. Unë vij vetë nga shtresa e ish-pronarëve, dhe nuk kam marrë asgjë, madje as nuk kam pritu t’i marr. Jo vetëm iu është marrë prona padrejtësisht dhe iu është mohuar drejta të gëzojnë pronën e tyre, por edhe kur ra sistemi, iu mohua e drejta e pronës.
Prona është një e drejtë e pamohueshme, nuk bëhen dot ligje për të mohuar prona. Çfarë ka bërë politika, qeveritë? Kanë penguar që ish-pronarët të marrin pronën Edhe ato pak prona që janë dhënë, pronarët janë detyruar t’i ndajnë me gjyqtarë e sekserë të korruptuar.
Pavarësisht se kanë kaluar 34 vite dhe shumë ish-pronarë janë dorëzuar, ftesa që ju bëj unë është që të ngulim këmbë. Ditën që ne do jemi në pushtet, për ne procesi i kthimit të pronave është shumë i rëndësishëm, shteti duhet të jetë në krah të pronarëve. Korrupsion më të madh se me pronat nuk është bërë në Shqipëri.
E drejta për pronën nuk shuhet. Shumë janë 34 vite, po ne prapë duhet të ngulim këmbë. Këtë e them si dikush që është i bindur se e drejta e pronës është thelbësore për të ardhmen e Shqipërisë.