Anëtarët dhe mbështetësit e Partisë Mundësia do të mblidhen sot në orën 11:00 në Pallatin e Kongreseve, ku do të mbahet Konventa themeluese e partisë së drejtuar nga Agron Shehaj.
Konventa vjen pas takimeve që nisën prej kohësh në çdo cep të Shqipërisë, për t’i njohur shqiptarët me programin dhe misionin e një partie të djathtë të vërtetë, që do të mbrojë vetëm interesat e tyre.
Agron Shehaj ka zgjedhur të bëjë politikë në Shqipëri dhe për më tepër, t’u thotë shqiptarëve të vërtetën, në një kohë kur ne, na janë mësuar edhe veshët tashmë me gënjeshtrat që kemi dëgjuar nga politikanët këto 30 vite.
Nga takimet që ka përditë në çdo cep të Shqipërisë ku është duke zhvilluar një tur bisedash të hapura, ai thotë se qytetarët janë të etur për një alternativë të re, për njerëz të vërtetë.
Dhe ajo që vihet re dhe është e pazakontë në ligjërimin e Agronit gjatë këtyre takimeve, është fakti që nuk u thotë shqiptarëve, siç kemi dëgjuar shpesh politikanët në kohë fushatash, premtime të natyrës: “Ky është fundi i Edi Ramës! Në zgjedhjet e 2025-ës Rama do jetë i mbaruar, sepse unë do ta mund”!
Përkundrazi, ai u thotë se është e vështirë të mundësh Ramën! Në dukje një absurd për të gjithë ata që bëjnë përditë politikë, dhe synojnë të marrin sa më shumë vota duke përdorur armë nga më të ndryshmet, deri te populizmi e nacionalizmi. Por ai, nuk do t’ia dijë nëse kjo e dëmton, siç shumë mendojnë. Ai është i bindur që shqiptarëve u duhet thënë e vërteta.
Sot nis një rrugëtim i ri, që vetë Shehaj është shprehur se do të jetë i gjatë dhe i vështirë, por me një synim të qartë: T’u japë shqiptarëve një alternativë të vërtetë, që më pas kjo t’u kthehet në një mundësi për të jetuar dhe punuar në vendin e tyre, pa u larguar në emigrim për të siguruar jetesën e familjes.