Moti i keq në vend, probleme në disa akse, anija me flamur Tanzanie ngec në Shëngjin

Reshjet e dendura të shiut por edhe të dëborës në zonat malore kanë sjellë probleme dhe bllokim qarkullimi në disa akse të vendit.

Në Rrugën e Arbrit, si pasojë e reshjeve të dendura të dëborës në zonën e Tunelit të Murrizit, disa mjete kanë dalë nga rruga dhe kanë përfunduar në kanal. Ndërkohë, probleme ka edhe në segmentin nga Ura e Vashës deri në Peshkopi, si dhe në Tunelit të Qafë-Buallit, ku shumë automjete kanë mbetur të bllokuara nga bora.

Në Shëngjin, një anije çisternë me flamurin e Tanzanisë ka mbetur e bllokuar në drejtim të fshatit Tale.

Probleme të shumta ka edhe në zonat malore të qarkut të Elbasanit, ku në disa prej tyre është pezulluar mësimi në shkolla për shkak të kushteve atmosferike. Probleme ka patur edhe në qarkullimin e mjeteve, për shkak se trashësia e dëborës ka shkuar deri në 10-15 cm.

Rritja e nivelit të lumit të Vjosës ka sjellë probleme të shumta në Novoselë, duke krijuar rrezik për banorët e zonës. Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile dhe Forcat e Armatosura janë në gatishmëri për të evakuuar banorët në çdo moment.

Edhe në aksin Qafë Thanë – Pogradec është bllokuar një korsi për shkak të rënies së inerteve, teksa segmenti Belsh-Trojas është përmbytur, duke e bërë të pakalueshëm për momentin.