Mos u marto po deshe, Shqipëria ka pasur edhe taksë beqarie

Diktatura komuniste në Shqipëri ndërtoi një sistem të madh terrori dhe shtypje. Por përveç dhunës, sistemi imponoi edhe sjellje shoqërore siç ishte rasti i detyrimit për tu martuar. Nëse nuk martoheshe, taksoheshe, e madje rëndë fare.

Më 9 shkurt të vitit 1951 Presidiumi i Kuvendit Popullor të Republikës Popullore të Shqipërisë miratoi Dekretin nr. 1222 mbi tatimin e beqarëve. Ligji prekte meshkujt 20-50 vjeç dhe femrat 20-40 vjeç, që ishin beqarë, të ve, të shkurorëzuar dhe pa fëmijë.

Punëtorët dhe nëpunësit tatohen me 3% mbi të ardhurave, zejtarët, tregtarët dhe profesionistët me 4% mbi të ardhurat, fshatarët me 600 lek në vit dhe të tjerët 200 lek në vit.

Tatimi paguhej më 1 korrik dhe 1 dhjetor të çdo viti. Ata që kishin të ardhura të tjera dytësore, tatoheshin edhe mbi ato të ardhura. Prej ligjit përjashtoheshin ushtarët dhe nënoficerët, nxënësit dhe studentët, invalidët e luftës dhe të punës, shtresat me të ardhura të pakta ekonomike dhe klerikët që nuk martohen.

Dekreti u hartua duke marrë parasysh nivelin ekonomik të vendit, si dhe i mbështetur në eksperiencën Sovjetike, siç thotë relacioni bashkangjitur dekretit. Ndryshimi me ligjin përkatës të Bashkimit Sovjetik është shuma e tatimit, e cila në Shqipëri është zbritur në shifrën bujare të gjysmës ose pak më shumë se gjysmës së tatimit të BS, nga 6 në 3%.