Ministra e Energjetikës dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku ka zhvilluar sot një mbledhje me krerët e OSHEE ku ka prezantuar edhe drejtorin e ri të këtij institucioni Enea Karakaçi.
Në konferencën që mbajtën së bashku Balluku garantoi furnizimin dhe gatishmërinë e grupeve në terren për të ndërhyrë për çdo problematikë.Numri dy i qeverisë paralajmëroi edhe bizneset dhe individët që kryejnë lidhje të jashtëligjshme dhe vuri në dukje qarqet më problematike, ku duhet pasur më shumë kujdes.
Ministrja e Energjisë iu adresua edhe qytetarëve për t’iu kërkuar të mos shpërdorojnë energjinë përgjatë këtyre ditëve të nxehta.
“Temperaturat e larta krijojnë probleme teknike, sidomos gjatë javës së fundit. Tërheq vëmendjen e rajonit të Kukësit sa i përket humbjeve që vazhdojnë edhe mbajnë vendin e parë, edhe atij të Shkodrës dhe Burrelit. Aty ku kemi humbje më të mëdha, kemi edhe argëtime më të ulëta,” – u shpreh Balluku.
Balluku tha se terren janë 1 mijë e 100 punonjës të cilët punojnë për t’i paraprirë nevojave të qytetarëve dhe bizneseve në energjitikë, por edhe për lidhjet e paligjshme.
“Nuk do të ketë ulje të vigjilencës në asnjë moment sa u përket abuzuesve. Jemi në terren për të kontrolluar dhe vjedhjet, edhe pse është një sezon veror i rëndësishëm për ekonominë. Do të merren masa dhe do të vihen gjoba,” – deklaroi zëvendëskryeministrja.
Ndër të tjera, Balluku gjatë fjalës së saj tha se ky sezon veror do të jetë dhe një test sa i takon performancës së punonjësve.