500 mijë lekë ryshfet të arrestuarit, SPAK shpall në kërkim oficerin në Tiranë

GjKKO ka vendosur sot masën “arrest me burg” në mungesë për një oficer të Policisë Gjyqësore në Tiranë. Fatbardh Lala akuzohet se mori ryshfet për të ndikuar tek prokurori dhe gjyqtarët, e megjithatë personi i arrestuar u dënua. Por pas kësaj historie ai rezulton të jetë larguar nga Shqipëria. SPAK ka njoftuar sot se e ka shpallur në kërkim.

Po kështu OPGJ Lala sipas hetimeve të SPAK ka zbuluar sekrete nga një dosje hetimore për të lehtësuar masën e sigurisë të një personi kundrejt një shume të caktuar monetare.

“Nga tërësia e hetimeve të kryera deri në këtë fazë, ka dyshime të arsyeshme të bazuara në prova dhe fakte se shtetasi në hetim F. L., me detyrë oficer i policisë gjyqësore në Prokurorinë e shkallës së parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë ka marrë përsipër të ushtrojë ndikim dhe ka pranuar shumën monetare të dhënë nga shtetasja T. Ll. (që rezulton të jetë më shumë se 50.000 lekë), tek Prokurori i çështjes me të pandehur shtetasin E. Ll. dhe tek Gjyqtari i çështjes.

Ndërkohë shtetasit E. Ll. dhe T. Ll. duke dhënë shuma monetare (rezulton se ka dhënë më shumë se 50.000 lekë) oficerit të policisë gjyqësore F. L., pasi ky i fundit i ka siguruar se mund të ushtrojë ndikim te funksionarët publikë, siç janë në rastin konkret prokurori/gjyqtari që kanë pasur në hetim/gjykim çështjen penale në ngarkim të shtetasit E. Ll., pavarësisht se shtetasi Ermir Llagaçi, u dënua me burgim, pra pasoja e dëshiruar nuk ka ardhur, vepra penale e parashikuar nga neni 245/1 paragrafi 2 të Kodit Penal nga ana e tyre konsiderohet e konsumuar. Njëkohësisht E. Ll. i ka paguar avokatit S. A. shumën prej 300.000 lekësh, duke qenë në dijeni se një pjesë e kësaj shume parash konkretisht 150.000 lekë do të jepej nga ana e avokatit me qëllim që ai të ushtronte ndikim te gjyqtarët e Apelit, të cilët ishin tre, dhe secilit do ti jepej shuma prej 50.000 lekësh.

Në vijim të hetimeve, u grumbulluan prova që krijuan dyshimin e arsyeshëm se, oficeri i policisë gjyqësore F. L. ka konsumuar edhe veprën penale të dhe “Zbulimi i akteve ose të dhënave sekrete”, parashikuar nga neni 295/a paragrafi i tretë i Kodit Penal. Kjo pasi ai ka zbuluar të dhëna që përmbajnë aktet sekrete të një ose më shumë procedimi penal, dhe këtë informacion ai e ka disponuar duke aksesuar në zyrat e tij të punës si oficer i policisë gjyqësore pranë Prokurorisë së shkallës së parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë. Këto të dhëna Oficeri i Policisë Gjyqësore ia ka transmetuar nënës së shtetasit E. Ll. nëpërmjet telefonit madje duke rekomanduar se prokurorët duhen takuar. Këto veprime janë kryer duke cenuar rregullin e punës së tij, duke cenuar sekretin hetimor në lidhje me çështjet në fjalë, për sa kohë që prokurorët e çështjes nuk kishin ndërmarrë veprime të hapura me shtetasin E. Ll., duke cenuar në këtë mënyrë funksionimin e rregullt të organeve të drejtësisë, dhe parimin e sekretit hetimor”, thuhet në njoftimin e SPAK.