Ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë, Silvio Gonzato ka përgëzuar Klodian Brahon, i cili u zgjodh sot në krye të SPAK, për një mandat 3 vjeçar.
Në komunikimin e tij me gazetarët, Gonzato tha se mirëpresin bashkëpunimin me kreun e ri të SPAK. Ndërkohë theksoi edhe njëherë se Prokuroria e Posaçme ka një rol thelbësor në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, duke nënvizuar se kjo është një nga kërkesat kyçe për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian
“Kemi ardhur këtu të tregojmë mbështetjen tonë për KLP, por edhe për të treguar interes në procedurën e emërimit. SPAK ka rol thelbësor në luftën kundër krimit dhe korrupsionit.
Është një nga kërkesat kyce për në BE. Dje thamë që ajo që kërkojmë është një kryetar që do të vijojë punën e SPAK, dhe ajo që kërkonim ishte një kandidat me nivele pavarësie dhe integritet. Uroj z.Braho dhe që mirëpresim bashkëpunimin me të në vijim”, tha Gonzato.
Klodian Braho u zgjodh në krye të SPAK pasi mori 7 votat e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Adnan Xholi 3, Elvin Gokaj një votë ndërsa Doloreza Musabelliu asnjë.
Votimi i 11 anëtarëve të KLP-së:
Sokol Stojani – Xholi
Moisi Duda – Braho
Olger Eminaj – Braho
Erind Mërkuri – Xholi
Mirela Bogdani – Braho
Vatë Staka – Xholi
Ledina Riza – Braho
Erind Gërmenji – Braho
Zeqir Hoda – Braho
Arta Mandro – Braho
Erion Fejzulla – Gokaj