Moment historik, Dua Lipa në kopertinën e “TIME” si një nga 100 personat më me ndikim në botë

Një tjetër sukses ka shënuar këngëtarja me origjinë shqiptare Dua Lipa, ku këngët e saj janë kthyer në hite në mbarë botën. Dua Lipa ka zbukuruar kopertinën e revistës prestigjoze “Time” duke u vlerësuar si një nga 100 njerëzit më me ndikim në botë.

Deri më tani pesë nga këngët e Duas janë ngjitur në Top 10 të Billboard-it në SHBA, ndërsa vitin e kaluar ajo mori pjesë në një nga filmat më të komentuar, “Barbie”, ku këngëtarja luajti rolin e një sirene dhe këndoi një nga këngët më të rëndësishme nga kolona e saj zanore.

Ndërkohë këngëtarja me famë botërore ka folur në këtë intervistë për gjithçka, nga manifestimi i ëndrrave të saj, deri te krenaria për rrënjët e saj, Kosovën.

“Unë vij nga dy vende në të njëjtën kohë. Të qenit nga Kosova është një pjesë e madhe e imja dhe marrja e nënshtetësisë shqiptare është emocionuese.”

Dua Lipa gjithashtu theksoi se sa shumë dëshiron të ndryshojë përshtypjen rreth Kosovës dhe që bota ta dijë se nuk identifikohet vetëm me luftën.

Prandaj së bashku me babain e saj organizojnë një festival muzikor në Prishtinë, qëllimi i të cilit është të sjellë në vend njerëz nga e gjithë bota.

“Kur kam jetuar në Kosovë, nuk na ka vizituar asnjë nga artistët e mi të preferuar. Ëndrra ime më e madhe është të jem në gjendje ta bëj këtë për fëmijët sot”- ka thënë ajo.