Miratimi i ligjit që mban Gjinushin në krye, reagimi aspak akademik i Akademisë së Shkencave

Komisioni i Edukimit dhe Mjeteve të Informimit Publik ka miratuar projektligjin për Akademinë e Shkencave që i lejon Skënder Gjinushit të kandidojë përsëri në krye të këtij institucioni. Me 9 vota pro, deputetët socialistë kanë kaluar në mënyrë të fshehtë ndryshimët në ligj.Në mbledhjen e sotme, në seancë nuk kishte të pranishëm asnjë deputet nga opozita, pasi kjo e fundit denoncoi mënyrën se si po ndryshohej ligji.

Menjëherë pas miratimit të këtij projektligji ka patur një reagim në faqen zyrtare në Facebook të Akademisë së Shkencave. Në të ka një kundërpërgjigje për opozitën që e quajti këtë një puç të deputetëve të PS për të zgjatur mandatin e Gjinushit.

Në reagim thuhet se kryetarja e komisionit, (pra Flutura Açka) tentoi të bllokonte në mënyrë të paligjshme procedurën për të mos lejuar votimin ndërsa është shkruar se “puce bëhen nga pakicat e dhunshme”, duke iu referuar opozitës.

“Shumica vendos me votë dhe nuk ka nevojë për puçe. Puçe bëhen nga pakicat e dhunshme, duke shkelur parimet bazë të demokracisë.

Asambleja e Akademisë së Shkencave i përcakton vetë rregullat e funksionimit të saj, nëpërmjet Ligjit dhe Statutit të saj.

Organet drejtuese të ASHSH i zgjedh Asambleja me votë, jo ligji.

Ndërhyrje politike është bllokimi i vullnetit të Asamblesë, jo votimi e mbështetja e tij”, thuhet më tej në reagim.