Nëse ka diçka që Partia Socialiste di ta bëjë më së miri, është propaganda. Dhe niveli i propagandës rritet sa herë qytetarët përballen me pasojat e punës së keqe të bërë nga kjo qeveri në 12 vite.
Përmbytjet që kanë ndodhur në shumë zona në vendin tonë janë parë si një mundësi mjaft e mirë që deputetët socialistë të dalin në terren për të bërë fotot e tyre të propagandës, për t’u treguar shqiptarëve se ata janë aty, duke punuar për ta zgjidhur problemin.
Këta janë të njëjtët deputetë që nuk kanë folur ndonjëherë për problemet e atyre që i votuan, por janë treguar të bindur dhe kanë ngritur kartonin sa herë u kërkohet nga “lart”, si dhe kanë duartrokitur pas çdo fjalimi të liderit të tyre.
Lexo edhe: Deputetët e rinj të PS-së, si publik me pagesë i Kuvendit
Me rroba të shtrenjta e makina luksoze, ata shkojnë pranë fshatarëve të përmbytur për t’u dhënë mend, për të bërë fotot e për të pritur sa pëlqime do marrin.
Mes tyre janë edhe ministrat, që pasi nuk kanë mundur t’i parandalojnë përmbytjet, pasi fondet janë vjedhur apo keqpërdorur, tashmë shkojnë e bëjnë video me fjalime propagande, me bindjen se qytetarët do të vazhdojnë akoma t’u besojnë fjalëve të tyre boshe.
Ndërkohë, janë edhe disa të tjerë që janë mjaftuar duke shpërndarë postimet e kryeministrit Rama, e duke u bërë thirrje banorëve të kenë kujdes e të mos dalin nga shtëpia. Këta e kanë më të lehtë të flasin, pasi në fund të muajit e marrin rrogën bashkë me honorare, ndryshe nga qytetari që duhet të punojë çdo ditë për të siguruar jetesën.




