Militantët e Bashës ofendime dhe kërcënime ndaj deputetëve të PD, reagon Gazment Bardhi

Mbështetësit e ish-kreut të PD, Lulzim Basha, kanë hedhur ofendime dhe kërcënime drejt disa prej deputetëve të PD, pas mbledhjes së kryesisë së partisë. Mbledhja që zgjati më shumë se 8 orë u shoqërua me debate të shumta mes anëtarëve të kryesisë, pasi disa prej tyre nuk pranuan që të votonin zgjedhjen e kryetarit të ri.

Jashtë ambienteve të kryesisë, mbështetësit e Bashës iu kanë kërkuar llogari deputetëve “rebelë”, duke iu thënë “t’ju vijë turp”, “po na torturoni”, apo kërcënime të tipit “nëse shkoni te Berisha do ta keni pisk punën”.

Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së Gazment Bardhi, ka reaguar sot duke thënë se dhuna, presioni dhe shantazhi nuk ju shërben demokratëve.

“Dhuna verbale, presioni dhe shantazhi kundër deputetëve të PD që mendojnë ndryshe nuk janë mjete politike. Kjo sjellje prej grupimi paramilitar hedh në erë bashkëjetesën brenda kësaj force politike dhe dërrmon në mënyrë përfundimtare besimin e qytetarëve tek PD. Duke dënuar me forcë aktet e dhunës kundër deputetëve të PD, anëtarëve të Kryesisë dhe gazetarëve, u kërkoj secilit kolegë të distancohen publikisht prej tyre. Përmes dhunës, presionit dhe shantazhit nuk ndërtohet asgjë afatgjatë, në interes të demokratëve dhe të Shqipërisë”, deklaroi Bardhi.

Me 17 vota pro, 2 kundër dhe 3 abstenime, Kryesia vendosi që gara për kreun e ri të demokratëve të mbahet më 29 korrik.  Para se të votonte, Jorida Tabaku hoqi dorë nga posti i saj si nënkryetare e Partisë, pasi në një deklaratë të mëvonshme pohoi se nuk mund të votojë për vendime që dëmtojnë partinë. Pas saj edhe dy anëtarët e kryesisë Ori Nebiaj dhe Flamur Hoxha dhanë dorëheqjen si anëtarë të Kryesisë.

Tani mbetet që të shpallen kandidaturat për kryetarin e ri, pasi Kryesia ka lënë afat që deri më 20 qershor të dorëzohen kandidaturave. Fushata nis nga data 24 qershor deri më 27 korrik dhe më pas më 29 korrik, mbahen zgjedhjet.

Lexo edhe: “Langaraq me Ramën, gangster me demokratët”, Ervin Salianji reagon ashpër ndaj Bashës

Lexo edhe: Jorida Tabaku jep dorëheqjen si nënkryetare e PD-së: “Refuzoj të votoj një vendim që dëmton partinë”