Mësuesit në Korçë s’kanë marrë rrogat, kreu i sindikatës: Kishin frikë ta bënin publike në media

Edhe pse është data 12 mësuesit në Korçë ende nuk kanë marrë rrogën e muajit që lamë pas. Zakonisht ajo merret brenda 3 ditëve të muajit pasardhës. Denoncimi është bërë nga kryetari i sindikatës së pavarur të mësuesve, Leonard Trebicka.

Sipas tij mësuesit mbajnë me bukë familjet me ato rroga ndërsa kanë oatur frikë që ta denoncojnë rastin në media.

“Është diçka që jo vetëm mësuesit e Korçës dhe të Maliqit por kam marrë njoftim se edhe në disa rrethe të tjera ndodh por jo për pjesën më të madhe të mësuesve, është një pjesë e vogël si në qytetin  e Korçës janë mbi 100 mësues që nuk kanë marrë ende rrogën e muajit qershor. Një pjesë e konsiderueshme do të thoja duke marrë parasysh edhe numrin e  mësuesve në ZVA Maliq.

Nga kontaktet që kam bërë me drejtuesit  e Zyrave Arsimore kam marrë dakordësinë që brenda ditës së sotme pritet të hidhet në thesar dhe nesër mendohet që mësuesit të marrin rrogën. Ka qenë një shqetësim me të vërtetë shumë i madh , unë si kryetar i sindikatës e kam marrë vesh vetëm ditën e djeshme në orët e para të mëngjesit që mësuesit nuk kanë marrë rrogën, pra 9 ditë me vonesë.

Mësuesit kanë patur frikë dhe nuk e kanë bërë diçka të tillë për në media. Nga ajo që kam diskutuar me drejtuesit shkak është thesari që nuk ka para të gjenerojë nga Ministria e Financave te buxheti i arsimit. Nëndrejtorët e ZVA- ve janë duke pritur para kompjuterit për ti dhënë “ok”. Ne si sindikatë nuk mund ta imagjinojmë dot që një mësues që mban familjen me atë rrogë , madje ka shumë mësues që më kanë kërkuar të ngre zërin se kemi fëmijët pa bukë. Në ZVA-në  Maliq nuk ka ndodhur një gjë e tillë. Është hera e parë në qarkun e Korçës që vonohen rrogat”,-tha trebicka.