Të tjera detaje janë zbuluar nga megaoperacioni i SPAK, që ka filluar në orët e natës dhe vijon ende, pasi janë lëshuar 50 urdhër-arreste për anëtarë të grupeve kriminale, pas transkriptimit të bisedave në aplikacionin “SKY”.
Në pranga kanë rënë Armando dhe Elvis Ndreca, vëllai dhe djali i xhaxhait të deputetit të Partisë Socialiste, Eduart Ndreca. Armando Ndreca u arrestua edhe më 10 mars, me dyshimin se ishte i përfshirë në kultivimin e bimëve narkotike, por u lirua disa ditë më vonë për mungesë provash.
Ndërkohë, ish-deputeti Arben Ndoka është shpallur në këkrim, teksa vëllait të tij, Xhevi Ndokës, i është komunikuat masa e sigurisë në qeli, pasi është i dënuar nga GJKKO për shkak të tjetërsimit të 234 mijë metra katrorë tokë në zonën e Ranës së Hedhun.
Urdhër-arreste janë lëshuar edhe për 2 vëllezërit, Leonard dhe Erlis Duka, të cilët njihen si kundërshtarë të Ervis Martinaj. SPAK ka ushtruar kontrolle edhe në banesat e tyre, por të dy vëllezërit nuk ndodhen në Shqipëri.
Në kërkim janë shpallur edhe vëllezërit Avdylaj, ndërkohë që janë lëshuar urdhër arreste edhe për dy vëllezërit Durim dhe Valter Bami. Policia ka bërë kontrolle në shtëpinë e Albert Zajës në Larushk, i dënuat për vrasjen e Shkëlzen Kastratit.
Në pranga ka rënë edhe biznesmeni nga Shkodra, Mir Bruli, i afërm i biznesmenit Pëllumb Gjoka, i arrestuar në dosjen “Metamorfoza”.
Në zbardhjen e mesazheve të “SKY”, SPAK ka arritur të sigurojë prova për atentate dhe vrasje të pazbardhura ende, ndërkohë që vijojnë kontrollet për arrestimin e të shpallurve në kërkim.