Me pranga në duar dhe i shoqëruar nga agjentë të DEA-s, Maduro transferohet nga burgu për në gjykatën e New York

Udhëheqësi venezuelian, Nicolas Maduro, u dërgua me helikopter në një gjykatë federale në Manhattan për t’u përballur me akuzat për trafik droge.

Maduro, i shoqëruar nga agjentë të DEA-s, Agjencisë Federale Kundër Drogës, pati vështirësi të mëdha për t’u ngjitur në automjetin e blinduar që do ta çojë atë në gjykatë dhe madje kërkoi ndihmën e agjentëve.

Maduro dhe bashkëshortja e tij, Cilia Flores, u kapën në një bastisje tronditëse para agimit të së shtunës në një kompleks, gjatë një sulmi ndaj Karakasit.

Sipas New York Times, të paktën 40 persona, përfshirë civilë dhe pjesëtarë të ushtrisë venezuelase, humbën jetën në këtë sulm.

Sipas aktakuzës ndaj Maduros, ai drejtonte një “qeveri të korruptuar dhe të paligjshme që, për dekada me radhë, ka shfrytëzuar pushtetin shtetëror për të mbrojtur dhe nxitur veprimtari të paligjshme, përfshirë trafikun e drogës”.

Presidenti amerikan Donald Trump e kishte akuzuar vazhdimisht Maduron se drejtonte një kartel droge dhe pas rrëzimit të tij, tha se Shtetet e Bashkuara do të drejtojnë vendin deri në një tranzicion të duhur.

Ndërkohë, Gjykata Supreme e Venezuelës ka urdhëruar Delcy Rodríguez, zëvendëspresidente, të marrë përsipër kompetencat dhe detyrat e presidentit në detyrë.